Ministria e Bujqësisë ka reaguar në lidhje me ndërprerjen përkohësisht të fondeve nga Bashkimi Evropian për vendin tonë, në fushën e bujqësisë.

Përmes një komunikate për mediat, ministria shprehet se ky është një proces krejtësisht administrativ që lejon riverifikimin e sistemeve të kontrollit nga strukturat e akredituara të cilat do të marrin masat e nevojshme me qëllim vijimin normal të rimbursimit nga BE.

Në njoftim thuhet se kemi të bëjmë me procedura normale të Bashkimit Europian në kushtet kur ka nevojë të verifikohen shpenzime të dyshuara për aktivitet jo konform rregullave të përcaktuara.

“Autoritetet shqiptare janë vënë në dijeni të një pezullimi të faturës aktuale të rimbursimit nga DG AGRI për një pjesë të shpenzimeve te radhës. Ky është një proces krejtësisht administrativ që lejon riverifikimin e sistemeve të kontrollit nga strukturat e akredituara të cilat do të marrin masat e nevojshme me qëllim vijimin normal të rimbursimit nga BE. Këto janë procedura normale të Bashkimit Europian në kushtet kur ka nevojë të verifikohen shpenzime të dyshuara për aktivitet jo konform rregullave të përcaktuara.

Të gjithë strukturat shqiptare janë në bashkëpunim dhe në koordinim të vazhdueshëm me zyrën e OLAF dhe DG AGRI duke ofruar transparencë të plotë, sikurse kanë vepruar nga dita e parë e akreditimit, të të gjithë proceseve kontrolluese, hetuese dhe administrative të ndjekura deri më sot apo që mund të aktivizohen në të ardhmen”, thuhet ndër të tjera në reagimin e ministrisë.

Si masë parandaluese për mbrojtjen e interesave financiare të Bashkimit Europian, Komisioni Europian ka ndërprerë përkohësisht rimbursimet ndaj autoriteteve shqiptare për shpenzimet e kryera në kuadër të programit IPARD II. Hetimi europian vazhdon dhe nën kontroll janë fondet e dhëna në vitet 2014-2020 në Shqipëri. Ky vendim mund të ndryshojë vetëm në përfundim të hetimit të Bashkimit Evropian./

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re