Komisioni Evropian, ekzekutivi i Bashkimit Evropian, rekomandoi të dielën pezullimin e rreth 7.5 miliardë eurove në fondet për Hungarinë mes shqetësimeve për kthimin demokratik dhe keqmenaxhimin e mundshëm të parave të BE-së.

Komisioneri evropian për buxhetin Johannes Hahn tha se pavarësisht masave të propozuara nga Hungaria për eliminimin e mangësive, Komisioni Evropian rekomandon pezullimin e fondeve në vlerë prej 7.5 miliardë euro.

Paratë do të vijnë nga “fondet e kohezionit” të alokuara për Hungarinë. Këto fonde ndahen nga buxheti i bllokut për t’u mundësuar vendeve që të sjellin ekonomitë dhe infrastrukturën e tyre në standardet e BE-së.

Hahn tha se Hungaria ka kohë deri më 19 nëntor për të trajtuar shqetësimet e bllokut. Çdo veprim për pezullimin e fondeve duhet të miratohet nga 27 shtetet anëtare të BE-së, dhe kjo kërkon një “shumicë të kualifikuar”, domethënë përfaqësues të të paktën 55 për qind të vendeve të BE-së dhe 65 për qind të popullsisë së BE-së.

Për gati një dekadë, Komisioni Evropian ka akuzuar kryeministrin hungarez Viktor Orbán për shkatërrimin e institucioneve demokratike, marrjen nën kontroll të mediave dhe shkeljen e të drejtave të pakicave. Orban, i cili ka qenë në detyrë që nga viti 2010, i mohon akuzat.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha në fjalimin e saj vjetor të politikave në Parlamentin Evropian më 14 shtator se do të pezullonte fondet për shtetet anëtare që kërcënojnë demokracinë, veçanërisht duke theksuar korrupsionin.

Mediat hungareze raportojnë se qeveria e Orbanit duhet të shpallë ligjin e ri që të hënën. Ligjvënësit e BE shprehën shqetësimin javën e kaluar se kjo mund të ishte thjesht një mashtrim për të blerë kohë.

Ata thanë se qeveria në Budapest, të cilën Orban e përshkruan si një “demokraci joliberale”, është bërë një “regjim hibrid i autokracisë zgjedhore”.

Kujtojmë se Orban është kthyer në “dele të zezë” për BE-në me thirrjet e tij anti-emigrantë, duke promovuar kauzën e një Europe të krishterë që nuk duhet të cenohet nga prurjet(muslimane) njerëzore të Lindjes së Mesme, apo se është kundër liberalizmit sorosian, duke qenë dhe vetë një anti-Soros, se nuk lejon paradat LGBT në vendin e tij, e së fundi se nuk pranon të vërë sanksione mbi Rusinë.    

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re