Bashkimi Evropian (BE) deklaroi se pjesëmarrja e lartë në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të 14 majit në Türkiye është shenjë e qartë e përkushtimit të popullit turk për të ushtruar të drejtën e tij demokratike.

“BE-ja mirëpret pjesëmarrjen e lartë në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Türkiyes të dielën, më 14 maj, si një shenjë e qartë e përkushtimit të popullit turk për të ushtruar të drejtën e tij demokratike për të votuar”, thuhet në një deklaratë në lidhje me zgjedhjet në Türkiye nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell, dhe komisari i BE-së për Zgjerim, Oliver Varhelyi.

Në deklaratë thuhet se BE-ja ka marrë parasysh gjetjet dhe konkluzionet paraprake të Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe Këshillit të Evropës.

Në deklaratë theksohet se BE-ja i kushton rëndësi të madhe nevojës për zgjedhje transparente, gjithëpërfshirëse dhe të besueshme dhe pret me entuziazëm që parlamenti i ri të marrë mandatin e tij.

Dje, presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, tha se pjesëmarrja e madhe në zgjedhje tregon se populli turk është i përkushtuar për të shfrytëzuar të drejtat demokratike dhe se respekton institucionet demokratike, duke e quajtur fitore të madhe përqindjen e lartë të daljes në votim.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re