Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti serb, Aleksander Vuçiq dhe kreu i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, kanë zhvilluar disa takime të përbashkëta me qëllim të shtyrjes përpara të idesë së tyre të Minishengenit të riemëruar si “Open Balkan”.

Kjo nismë është shndërruar edhe në “mollë sherri” mes Prishtinës dhe Tiranës për shkak të refuzimit të Kosovës për përfshirje, meqë kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, thotë se “Open Balkan” është “tendencë e Vuçiqit për hapje të Ballkanit ndaj Rusisë e Kinës, si dhe oligarkëve e kriminelëve të luftës”.

Por cili është qëndrimi i Bashkimit Evropian lidhur me “Open Balkan” dhe a duhet që edhe Kosova të bashkohet në këtë iniciativë?

Përgjigje lidhur me këtë për Gazetën Express ka dhënë Ana Pisonero, zëdhënëse e BE’së për Fqinjësi dhe Zgjerim. Ajo ka thënë se BE’ja i mirëpret angazhimet e liderëve për bashkëpunim rajonal, derisa thekson rëndësinë thelbësore të gjithëpërfshirjes.

Pisonero gjithashtu ka rikujtuar edhe zotimin e liderëve të Ballkanit Perëndimor për krijimin e Tregut të Përbashkët Rajonal.

“Ne mirëpresim angazhimet e udhëheqësve për bashkëpunimin rajonal, një element thelbësor i perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe një pjesë integrale e Procesit të Stabilizim-Asociimit. Ne e kuptojmë dëshirën për të ecur përpara. Në të njëjtën kohë, një proces që përfshin të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor është thelbësor. Në këtë kontekst është e rëndësishme që rajoni të përparojë në krijimin e një Tregu të Përbashkët Rajonal, një angazhim politik i marrë nga gjashtë udhëheqësit e rajonit në Samitin e Sofjes vjeshtën e kaluar”, thuhet në përgjigjen me shkrim të zëdhënëses së BE-së, Ana Pisonero.

Ajo në fund ka thënë se BE’ja është duke krijuar mundësi investimi në rajon përmes Planit Ekonomik dhe të Investimeve dhe se tashmë i takon rajonit që t’i shfrytëzojë këto mundësi në mënyrën e duhur.

“Ne po sjellim mundësi të rëndësishme investimi në rajon nëpërmjet Planit Ekonomik dhe atij Të Investimeve. Tani i takon rajonit t’i përdorë ato mirë duke shfrytëzuar potencialin e tij të plotë ekonomik dhe duke ngritur një treg të përbashkët rajonal bazuar në rregullat e BE”, ka përfunduar Pisonero.

Se iniciativat për bashkëpunim rajonal kanë përfitime e kanë thënë edhe nga Qeveria Federale e Gjermanisë. Gjithashtu edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë thënë se Kosova duhet të jetë më mendjehapur karshi iniciativave rajonale.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re