Vendimin e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, për mobilizim të pjesshëm Bashkimi Evropian (BE) e ka vlerësuar si “shenjë që Rusia do të rrisë agresionin e saj dhe do të vazhdojë luftën”.

Peter Stano, një nga zëdhënësit e Komisionit të BE-së në një konferencë javore për shtyp foli mbi shpalljen e mobilizimit të pjesshëm në Rusi dhe vendimin për mbajtjen e referendumit për bashkim me Rusinë nga separatistët në Donetsk, Luhansk dhe Kherson, në lindje të Ukrainës.

Vendimet e fundit “janë një shenjë e hapur që i jepet komunitetit ndërkombëtar se Putin do të vazhdojë dhe do të rrisë luftën e tij shkatërruese”, tha Stano.

“Të gjitha këto tregojnë se Putin nuk dëshiron të kontribuojë për zgjidhjen e krizës, por që dëshiron ta thellojë edhe më tej krizën”, deklaroi më tej Stano i cili theksoi se është shkelur ligji ndërkombëtar dhe konventa e OKB-së.

Ndaj pyetjes se Putin për të mbrojtur vendin e tij do të provojë çdo rrugë, përfshirë edhe armët bërthamore, Stano tha se “Putin po luan një kumar bërthamor”.

Zëdhënësi Stano theksoi se përdorimi i armëve bërthamore ose përdorimi i armëve përreth objekteve bërthamore është i rrezikshëm dhe mund të shkaktojnë pasoja që prekin jo vetëm rajonin, por edhe mbarë botën.

“Komuniteti ndërkombëtar duhet të vazhdojë presionin ndaj Putinit për ndryshimin e këtij qëndrimi”, theksoi Stano.

Edhe kryezëdhënësi i KE-së, Eric Mamer, ndaj pyetjes “A do të zbatohen sanksione të reja ndaj Rusisë”, tha se vazhdojnë diskutimet mbi këtë çështje dhe se nuk do të bëjnë ndonjë deklaratë deri në përfundimin e saj.

Mamer theksoi se pas referendumeve në lindje të Ukrainës askush nuk do ti vërejë këto rajone si territore të Rusisë.

Dje të ashtuquajturat këshilla popullor të administratave Donetsk dhe Luhansk në rajonin Donbas të Ukrainës, dhe i ashtuquajtura administrata e Kherson që ndodhet nën kontrollin e Rusisë, njoftuan se nga 23 deri më 27 shtator në të dy rajonet do të mbahet referendum popullor për bashkim me Rusinë.

Edhe Ministria ruse e Mbrojtjes këtë mëngjes shpalli mobilizim të pjesshëm dhe deklaroi se 300 mijë ushtarë rezervë do të thirren në detyrë.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re