Bashkimi Evropian të mërkurën ra dakord të vendosë sanksione ndaj gjashtë rusëve dhe një organizate lidhur me helmimin e udhëheqësit rus të opozitës Aleksej Navalni. Këtë e bënë të ditur burime zyrtare, që donin të mbeteshin anonime dhe që folën me agjensitë e lajmeve DPA dhe AFP.

Ambasadorët e BE thuhet se ranë dakord të vendosin ngrirjen e aseteve dhe ndalimet e udhëtimit për këta persona gjatë një takimi në Bruksel. Hollësitë do të vendosen në ditët në vijim.

Navalnin, një kritik i hapur i Presidentit Rus Vladimir Putin, e helmuan në gusht në Siberi me lëndën kimike luftarake Noviçok. Atë e evakuuan në Berlin, ku tani po shërohet. Administrata e Putinit ka mohuar se qëndron pas sulmit

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov më parë kishte kërcënuar se të ndërpriste kontaktet diplomatike me vendet perëndimore, po të vendosnin sanksione.

“Ne ndoshta thjesht duhet të ndalojmë përkohësisht së foluri me ata njerëz në Perëndim që janë përgjegjës për politikën e jashtme dhe nuk e kuptojnë nevojën për dialog me respekt reciprok,” tha Lavrovi të martën, në një konferencë të politikës së jashtme.

Të mërkurën, ai kërcënoi të përgjigjej në të njëjtën mënyrë ndaj çdo sanksioni.

Gjermania dhe Franca propozuan masa kundër Rusisë javën e kaluar, duke thënë se përveç sanksioneve kundër “individëve … të cilët për shkak të funksionit të tyre zyrtar konsiderohen përgjegjës për këtë krim dhe shkeljen e ligjit ndërkombëtar”, veprimi duhet të merret gjithashtu kundër një organi “që është i përfshirë në programin Noviçok.”

Masat e BE pritet të hyjnë në fuqi të enjten. Sipas burimeve të përmendura nga agjencitë e lajmeve, individët që do të preken përfshijnë zyrtarë nga aparati i sigurisë i Rusisë, ndërsa organizata e implikuar është Instituti Shtetëror i Kërkimit të Kimisë Organike dhe Teknologjisë.

BE në të kaluarën ka vendosur sanksione kundër zyrtarëve të shërbimit të fshehtë rus pas helmimit me Noviçok në vitin 2018 në Britaninë e Madhe të ish-agjentit të dyfishtë rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij./DW

 

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re