E kanë quajtur “Wikie”, është një orkë e parkut të madh ujor “Marineland” në Francë, si dhe e vetmja e llojit të saj që mund të imitojë fjalë të thjeshta si “hello” dhe “bye-bye”.

Balena vrasëse ka mësuar të flasë duke kopjuar praktikisht stërvitësin e vet. Repertori i orkës përfshin edhe emrin “Amy”, si dhe numrat “një, dy, tre”.

Balenat dhe delfinët janë ndër të paktat kafshë që mund të riprodhojnë një nivel të caktuar tingulli vetëm duke e dëgjuar atë.

“Te gjitarët, një gjë e tillë është tejet e rrallë”, thotë doktor Josep Call i Universitetit të St Andreës.

Njerëzit padyshim e zotërojnë mirë një aftësi të tillë, por interesantja është se, veç tyre, më të saktët në këtë riprodhim konsiderohen sisorët e detit.

Qëllimi fillestar i studimit që arriti të zbulonte talentin e veçantë të “Wikie”-t ishte të shihej nëse balenat vrasëse mund të arrinin një vokalizim të ri, duke imituar të tjerët.

Orkës iu mësua sesi t’i lëshonte tingujt e ngjashëm me fjalët përmes vrimave të frymëmarrjes që i ka në kokë. Është e ditur tashmë se orkat jetojnë në grupe, me të ashtuquajtura “dialekte” vokale unike. Besohet gjerësisht se ato mund të kopjojnë të ngjashmit e vet, që ndodhen në gjendje të lirë, por një gjë e tillë ka nevojë për testim./t.ch/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re