Rastet e koronavirusit kanë qarkulluar në Europë shumë më herët nga sa u zbulua zyrtarisht, me të dhënat e konfirmuara tashmë nga analiza shkencore në Francë.Vendet hamendësonin se rastet mund të ketë qarkulluar më herët dhe për këtë ishin vënë në kërkim të pacientëve zero për të ndjekur përhapjen e virusit dhe gjurmimin e rasteve. Gazetarë të huaj kishin shkruar në artikuj më parë se rastet në Bergamo të Italisë kishin nisur shumë më herët dhe kjo e bëri pothuajse të pafrenueshme valën e vdekjeve që përfshiu rajonin verior të vendit, me aludimet se shumë pacientë të shtruar që në fillim të janarit për pneumoni të rëndë, mund të kishin pasur Covid-19.

Në Francë, një spital që ritestoi mostrat e vjetra nga pacientët me pneumoni, ka zbuluar se kishte trajtuar një person me koronavirus, që më 27 dhjetor, gati një muaj para se qeveria franceze të konfirmonte rastet e saj të para.Dr. Yves Cohen, shef i reanimacionit në spitalet “Avicenne” dhe “Jean Verdier”, në periferinë veriore të Parisit, tha për “BFM TV” se shkencëtarët kishin testuar edhe njëherë mostrat nga 24 pacientë të trajtuar në dhjetor dhe janar, që u testuan negativë për gripin.

“Nga 24 raste, ne kishim një që ishte pozitiv për Covid-19 më 27 dhjetor”, tha ai. Mostrat ishin mbledhur fillimisht për të zbuluar gripin, duke përdorur teste PCR, të njëjtin proces të shqyrtimit gjenetik që mund të përdoret gjithashtu për të zbuluar praninë e koronavirusit.

“Çdo mostër u provua disa herë për të siguruar që nuk kishte gabime”, shtoi ai.Në Francë, pothuajse 25,000 njerëz kanë vdekur me virusin që nga 1 marsi 2020. Vendi konfirmoi tri rastet e para të Covid-19 në 24 janar, duke përfshirë dy pacientë në Paris dhe një tjetër në qytetin jugperëndimor të Bordeaux.Të mësosh se kush ishte pacienti i parë, është thelbësore për të kuptuar se si përhapet virusi, por Dr. Cohen tha që ishte shumë herët për të qenë të sigurt nëse pacienti ishte “pacienti zero” i Francës. Ai tha se pacienti kishte mbijetuar dhe se është kryer një hetim i parë për të gjurmuar rastin.

“Ai ishte i sëmurë për 15 ditë dhe infektoi dy fëmijët e tij, por jo gruan, e cila punon në një supermarket. Ai ishte i habitur, nuk e kuptoi se si ishte infektuar. Nuk kishte bërë asnjë udhëtim. Kontakti i vetëm që kishte, ishte me gruan e tij”, tregoi mjeku.Gruaja e tij ka punuar së bashku në një stendë Sushi, afër kolegëve me origjinë kineze. Nuk ishte e qartë nëse ata kolegë kishin udhëtuar për në Kinë dhe autoriteti lokal shëndetësor duhet të hetojë.“Ne po shqyrtojmë nëse ajo ishte asimptomatike. Mund të jetë ‘pacienti zero’, por ndoshta ka raste të tjera në rajone të tjera. Të gjitha PCR-të negative për pneumoni duhet të testohen përsëri. Virusi ndoshta po qarkullonte më herët”, u shpreh mjeku francez.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re