Presidenti i vendit Bajram Begaj së bashku me homologun italian, Matarella kanë mbajtur një deklaratë të përbashkët për shtyp.

 

Gjatë fjalës së tij presidenti Begaj e ka vënë theksnin në rëndësisnë parësore midis dy vendeve përsa i përket bashkëpunimit në institucional, ekonomik apo politik.

 

Begaj ka falenderuar gjithashtu homologun për mbështetjen e Italisë ndaj Shqipërisë për procesin e integrimit në Bashkimin Europian.

 

 

“Shqipëria dhe Italia janë dy vende me lidhje të hershme dhe të qëndrueshme ndër shekuj. Vende mike me një afërsi jo thjesht gjeografike, por në radhë të parë historike, kulturore, shpirtërore e njerëzore. Ne sot kremtojmë këtë lidhje të fortë, që na siguron se popujt tanë do të vijojnë të mbështesin paqen, fqinjësinë e mirë, solidaritetin vëllazëror dhe rrugëtimin tonë të përbashkët në vlerat më të mira evropiane.

Kodi i mikpritjes shqiptare, jo vetëm e ka përcaktuar vendin e nderit për mikun, por edhe na mëson se “miku i mirë njihet në kohë të vështira” – e Italia mike ka qenë e tillë për popullin tonë në kohë të mira e në kohë të vështira.

Ne i jemi mirënjohës popullit italian, që në një botë që kërcënohet nga racizmi dhe ksenofobia mbetet shembull jo vetëm i integrimit dhe solidaritetit vëllazëror, por afirmimit, ruajtjes dhe mbrojtjes së vlerave kulturore e shpirtërore të një bashkësie tjetër. Komuniteti i arbëreshëve është një shembull i rrallë, që lartëson vlerat më të mira shpirtërore të dy popujve tanë. Komuniteti Arbëresh në Itali, si dhe ai shqiptar i valëve të mëvonshme të emigracionit, janë ura të qëndrueshme miqësie dhe vëllazërie, të cilët jo vetëm kanë arritur të integrohen, por janë mishërimi më i mirë i afërsisë së natyrshme kulturore e njerëzore mes dy vendeve dhe popujve tanë. Ndamë sot me Presidentin Mattarella mendimin, se vizitat e shpeshta në nivele të larta, janë jo vetëm shprehje e vëmendjes së politikës së jashtme të dy vendeve tona, pavarësisht qeverive në pushtet, por edhe rëndësisë prioritare që i japim forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit në të gjitha nivelet – politike, ekonomike, parlamentare, institucionale, kulturore.

Në rrugëtimin e saj Euro-Atlantik, Shqipëria ka qenë me fat që ka gjetur tek Italia, një mike të vyer dhe mbështetëse të pakursyer të përpjekjeve për integrim. Ne jemi mirënjohës që politika e jashtme italiane, prej vitesh, e ka përcaktuar si prioritet të saj integrimin e Ballkanit Perëndimor, duke mbetur e palëkundur në politikën e zgjerimit të Bashkimit Evropian. Hapja e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian shënon një stacion të rëndësishëm në rrugëtimin tonë, që kërkon përkushtim të shtuar në një proces transformues për të gjitha institucionet dhe ekonominë tonë.Me Presidentin Mattarella biseduam për rëndësinë e vijimit të mbështetjes italiane, si në rrafshin politik, ashtu edhe në atë teknik, në përmbushjen e detyrimeve për anëtarësim dhe përshpejtimin e këtij procesi. Prej dekadash, marrëdhënia me Italinë është e një rëndësie parësore për ne, e ngritur në nivelin e një partneriteti strategjik. Italia është partneri ynë i parë tregtar, ndër donatorët kryesorë bilateral dhe nga investitorët më të rëndësishëm, si për nivelin e financimeve, ashtu edhe për spektrin e ndihmës së ofruar.

Me Presidentin Mattarella ndamë përkushtimin, që institucionet tona duhet të vijojnë bashkëpunimin e frytshëm të deritanishëm, për të shfrytëzuar çdo potencial bashkëpunimi me interes për të dyja palët. E sigurova Presidentin, se ne mirëpresim një prezencë të shtuar të biznesit italian dhe vlerësojmë kontributin e sipërmarrjeve italiane në zhvillimin e vendit. Komisioni i Parë i Përbashkët Ekonomik i zhvilluar në Romë vitin e kaluar, është një instrument i rëndësishëm në identifikimin e fushave me interes të ndërsjellë dhe eliminimin e pengesave për bashkëpunim.Financimi i programeve që synojnë konsolidimin e sistemeve të prodhimit, lidhjen me rrjetet rajonale të infrastrukturës, promovimin e menaxhimit të qëndrueshëm të burimeve dhe forcimin e kapaciteteve institucionale – së bashku me ato arsimore dhe shëndetësore – shihen me rëndësi për zhvillimin e vendit.” – deklaroi Presidenti Begaj gjatë fjalës së tij. 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re