Presidenti Bajram Begaj ka folur ditën e sotme në Forumin e Prespës në Dialog për situatën në rajon. Begaj u shpreh se askush nuk mund të vërë sot në pikëpyetje sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës duke e cilësuar atë një realitet politik të pathyeshëm.

Sipas Begajt është koha e duhur që liderët e Kosovës dhe Serbisë të ndërmarrin përgjegjësitë e tyre historike dhe të çojnë përpara procesin e pajtimit, si dhe normalizimin e marrëdhënieve dhe njohjen mes tyre.

“Askush nuk mund të verë sot në pikëpyetje sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Kosova është një realitet politik i pakthyeshëm!

Por vlerësoj, se është koha e duhur që liderët e këtyre dy vendeve të ndërrmarrin përgjegjësitë historike, që ashtu si ata të Maqedonisë së Veriut e Greqisë pesë vjet më parë, të çojnë përpara procesin e pajtimit, si dhe normalizimin e marrëdhënieve dhe njohjen mes tyre.

Kemi krijuar shumë organizata e iniciativa rajonale në funksion të këtij qëllimi, por ende duket se jemi larg asaj që ne dëshirojmë: një rajon në paqe, një rajon të sigurt e një rajon të zhvilluar. Shqipëria është e përkushtuar në misionin e saj si faktor stabilizues në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe eksportuese e sigurisë në rajon e më gjerë”, tha Begaj.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re