Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, këtë të mërkurë ka pritur në një vizitë zyrtare homologun e tij estonez, Alar Karis.

Begaj në fjalën e tij ka theksuar se e ka falenderuar presidentin e Estonisë, që na kanë qendruar pranë dhe vazhdojnë të na gjenden pranë në procesin e integrimit në BE.

Ndër të tjera kreu i shtetit është shprehur se integrimi në familjen Evropiane është objektivi ynë madhor strategjik jo vetëm i Shqipërisë por i të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor.

“Integrimi jo vetëm i Shqipërisë, por i të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor në BE, do të ishte një garanci e jashtëzakonshme për një të ardhme të stabilizuar dhe të prosperuar të të gjithë rajonit.

 Në këtë kuadër, vlerësova se Estonia ka luajtur dhe vazhdon të luaj rolin e saj mbështetës për një Ballkan Perëndimor më të stabilizuar dhe të zhvilluar. Kjo është shumë e rëndësishme, veçanërisht në kontekstin e ri gjeopolitik dhe në situatën e sigurisë globale ku ndodhemi sot”, ka thënë Begaj.

Ndër të tjera ai është shprehur se në këtë takim kanë diskutuar edhe agresionin e ashpër rus ndaj Ukrainës.

U ndalëm në mënyrë të veçantë tek agresioni brutal dhe i pajustifikuar rus kundër Ukrainës, që solli në Evropë erërat e trazuara të një të djeshme që mendonim se e kishim lënë pas. Shqipëria, që në krye të herës, e ka dënuar ashpër këtë agresion.  

Nënvizova faktin se vizioni i NATO-s i treguar deri më tani në përballimin e kësaj situate dhe zgjerimi së fundmi i Aleancës me Finlandën, tregoi se jemi më të fortë se kurrë, më të bashkuar dhe më të vendosur se kurrë për të mbrojtur vlerat e saj.

Jam i bindur se kjo do të tregohet qartazi dhe me aderimin sa më të shpejtë të Suedise si edhe në Samitin e NATO-s që do të mbahet shumë shpejt fare pranë Estonisë, në Vilnius, Lituani. 

Doja gjithashtu të vija theksin tek pjesëmarrja e trupave tona në misionet e NATO-s në përgjithësi dhe në batalionin shumëkombësh të NATO-s në Letoni në vecanti, që reflektojnë më së miri rolin aktiv të Shqipërisë si shtet anëtar i NATO-s”, ka thënë ndër të tjera kreu i shtetit.

Gjithashtu Begaj e ka falenderuar Karis, për rolin që shteti i Estonisë ka pasur në përkrahjen e Kosovës për rrugëtimin e saj euroatlantik.

“Përshëndeta përkrahjen që Estonia i ka dhënë Kosovës, në rrugëtimin e saj euroatlantik, si dhe për anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare. Kjo mbështetje është gjithashtu një tregues i qartë i vullnetit të Estonisë për të ndihmuar rajonin e Ballkanit Perëndimor të shohë nga e ardhmja. Nënvizova me Presidentin se ngjarjet e ditëve të fundit në Kosovë, na kujtojnë edhe një tjetër herë rëndësinë që ka zbatimi sa më parë i marrëveshjes së dakordësuar publikisht në Bruksel dhe anekseve të saj në Ohër nga ana e Serbisë dhe Kosovës”, është shprehur Begaj.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re