Presidenti Bajram Begaj ka zhvilluar sot një takim me ambasadoren amerikane, Yuri Kim, me rastin e përfundimit të misionit të saj diplomatik në vendin tonë. Presidenti e falënderoi ambasadoren për kontributin e dhënë në forcimin e gjithanshëm të marrëdhënieve midis SHBA dhe Shqipërisë gjatë mandatit të saj.

Në mënyrë të veçantë, Presidenti Begaj vlerësoi rolin dhe angazhimin domethënës të Ambasadores Kim në avancimin e reformës në drejtësi, në forcimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë, si edhe të luftës kundër korrupsionit e krimit të organizuar.

Kreu i Shtetit vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë të Ambasadores Kim me institucionet shqiptare për nxitjen dhe koordinimin e bashkëpunimit mes agjencive të specializuara të dy vendeve për çështjet e mbrojtjes dhe të sigurisë, me fokus të veçantë në atë kibernetike.

Presidenti Begaj falënderoi Ambasadoren Kim për angazhimin e saj në rritjen e shkëmbimeve tregtare mes vendit tonë dhe SHBA-së, por edhe për rritjen e aktivitetit të bizneseve amerikane në Shqipëri.

Duke çmuar marrëdhëniet e ngushta e njerëzore që Ambasadorja krijoi me shqiptarët në të gjitha krahinat e vendit, si dhe duke i uruar suksese në detyrat e angazhimet e ardhshme profesionale, Presidenti Begaj shprehu besimin se Ambasadorja Kim do të mbetet një mike e mirë e shqiptarëve dhe gjithmonë e mirëpritur në Shqipëri.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re