Gjermania po kryen teste masive për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, që po “pushton” gjithë botën.

Në një lidhje me “Skype” nga Berlini, shqiptarja Migena Begolli tregoi për News24 se aktualisht Gjermania është vendi i parë në botë, që po kryen më shumë teste të COVID-19, që arrijnë 100-200 mijë në javë.

Sipas saj, të parët që iu bëhen testet janë të moshuarit mbi 70 vjeç, si dhe të gjithë ata që kanë sëmundje kronike, dhe që janë më të rrezikuar ndaj virusit.

“Në Gjermani testimi bëhet shumë dhe është shumë i saktë. Diagnostifikimi bëhet në institucione private. 100-200 mijë testime në javë. Është vendi i parë në botë që bën kaq shumë testime. Rezultatet e testimeve dalin pas 7 ditësh. Qytetarët këshillohen të rrinë në shtëpi dhe të shohin seriale, ndërsa mjekët urdhërohen të rrinë në punë dhe të kujdesen kryesisht për të moshuarit mbi 70 vjeç.

Por për personat që nuk kanë asnjë simptomë dhe që ruajnë distancën sociale nuk bëhen testime. Të parët testohen të moshuarit dhe ata që kanë sëmundje kronike. Por, nesër Kancelarja Angela Merkel pritet të zhvillojë një konferencë online me të gjithë krerët e Landeve në Gjermani.

Kriza mund të zgjasë edhe deri në dy vite, ndaj dhe është një kohë e gjatë për të mbajtur popullin në karantinë. Por, mjekët këtu thonë se duhen një grumbull masash për t’ia dalë kësaj situate. E para, është distancimi social, thelbësore për t’ia dale”, tha shqiptarja.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re