Nga Silvana Kola-Loka

(Psikologe)

Kjo është e vetmja këshillë për karrierë që më ka dhënë ime më. Ndërkohë, ajo vetë ishte mësuese në ciklin fillor. Dhe ishte një mësuese nga ato të rrallat.

Ende e kam para syve pirgun e nápave që i lante dhe hekuroste çdo të dielë në darkë. Në klasë kishte nxënës që gjithë paraditen ishin vetëm në shtëpi dhe, kur shkonin në mësimin që zhvillohej pasdite, ishin të djersitur. Ime më iu vinte napat në kurriz të mos sëmureshin.

Ende e dëgjoj ndërsa i kërkonte tim eti (një inxhinier që i vinte për dore të krijonte mrekulli nga hiçi) që ta ndihmonte për të krijuar mjete didaktike me ngjyra dhe të veçanta nga ato që shiteshin në kancelari. Kështu ajo sigurohej që mësimi të ishte interesant edhe për nxënësit që nuk e kishin të lehtë të nxënit.

Ende e shikoj se si përgatiste disa qeska me rrobat e mia dhe të tim vëllai, të cilat nuk na bënin më nga rritja. Në klasë kishte fëmijë që rriteshin në familje me vështirësi të mëdha ekonomike. Ajo i detyronte prindërit e nxënësve t’i premtonin se nuk t’iu thoshin asnjë herë fëmijëve se ishte ajo që ua dha rrobat, që fëmijët të mos ndjeheshin në siklet. Dhe prindërit e mbajtën përgjithmonë premtimin.

Ende e shikoj stivën e fletoreve që kishte krijuar për çdo nxënës, ku shkruante ushtrime dhe detyra që ishin të përshtatshme për nivelin e secilit. Shpesh i sajonte këto fletore me fletët e mbetura të papërdorura nga unë dhe im vëlla. Dhe sigurohej që t’iu vinte nga një yll të gjithëve, sepse ajo e dinte që të gjithë nxënësit e saj përpiqeshin të mësonin, qoftë edhe për të bërë të lumtur atë, mësuesen e tyre që ata e donin shumë fort.

Dhe mamaja ime kishte gjithnjë 40 nxënës në klasë. Mendoni! 40 fëmijë që duan sytë, buzëqeshjen, fjalën e ngrohtë dhe udhëheqjen e një njeriu të vetëm!

Mamaja ime ishte mësuese nga ato të rrallat, nga ato të vërtetat. Dhe mua më lutej: “Të kam xhan! Vetëm mësuese mos u bëj!”.

Gjithmonë e kam ditur se ajo, në të vërtetë, më lutej të gjeja një profesion që të mos lodhesha shumë. Sepse, sipas asaj, të jesh mësuese nuk mund të bëhet ndryshe, përveçse me shumë dedikim dhe një lodhje të madhe. Sipas mamasë time, të jesh mësuese do të thotë të japësh nga të gjitha pjesët e tua: të japësh nga nëna brenda teje, nga gruaja, nga bashkëshortja.

Sipas mamasë time, ka vetëm një mënyrë për të qenë mësuese, sidomos mësuese e klasës së parë: të mos duash të bësh asgjë tjetër në jetë, pavarësisht gjithë lodhjes. Sepse në jetë njeriu ka vetëm një mësues të klasës së parë. Dhe është privilegj i jashtëzakonshëm të jesh në rolin e dikujt që do ndihmojë një fëmijë ta dojë shkollën dhe dijen për gjithë jetën!

Gëzuar 7 Marsin të gjithë mësuesve!

Ju jam mirënjohëse në çdo shkronjë që lexoj dhe shkruaj.

E ardhmja e shoqërisë është në dorën tuaj! Mos lejoni t’ju bindin për të kundërtën!

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re