Ish kreu i PD Kukës, Ibsen Elezi, ka dorëzuar bë selinë blu formularin e kandidimit për zgjedhjet e kreut të ri të Partisë Demokratike. Në fjalën e tij përballë gazetarëve, Elezi i bëri thirrje strukturave të PD-së për mbajtjen e një procesi të rregullt zgjedhor, transparent dhe pa ndikime.

“Ekzaktësisht kam thënë se nëse do të shihja një kandidat tipik të djathtë me ide konservatore unë do ta ndiqja. Duke qenë se nuk e pashë vendosa të kandidojë vetë. Ky nuk është vendim vetëm i imi personal por edhe i grupit. Çdo individë ka të drejtën të kandidojë në demokraci.

Një nga parimet themelore të demokracisë buron nga vota e lirë, ndaj unë i them të gjithë anëtarëve dhe strukturave të  Partisë Demokratike të respektojnë votën e lirë.

Transparenca dhe shanset e barabarta janë parimet bazë të statusit të Partisë Demokratike. Kryetari Lulzim Basha do duhej të jepte dorëheqjen për të mos cënuar parimin e shanseve të barabarta.

Çdo anëtarë dhe funksionarë në Partinë Demokratike duhet të jetë neutral në këtë proces zgjedhor dhe mos të ndikojë”, tha Elezi.

Kujtojmë se aktualisht  kandidaturat e dorëzuara për kreun e PD-së janë; Lulzim Basha, Fatbardh Kadilli, Edith Harxhi dhe së fundmi Ibsen Elezi, ndërkohë që pritet të depozitojë sot kandidimin dhe kandidati i fundit i shpallur Lisandër Hoxha.

Ditën e dielë në orën 18:00 pritet të mbahet mbledhja e Kryesisë, ku pritet të vendoset mbi kandidatët dhe modalitetet e garës për zgjedhjen e kreut të ri të PD-së.

Kujtojmë se humbja e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 25 Prillit, ka bërë që Partia Demokratike të futet në një proces zgjedhor të brendshëm, me fraksione dhe grupime të ndara që kërkojnë dorëheqjen e kryedemokratit aktual Basha dhe respektimin e statutit të partisë.

loading…

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re