Kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës, Roland Bejko përsëriti thirrjen e tij drejtuar qytetarëve për pjesëmarrje masive në votime.
Në një deklaratë për mediat, Bejko ftoi qytetarët të shprehin vullnetin e tyre, duke theksuar se kjo është e vetmja mundësi për t’i dhënë jetë demokracisë në vend.
Ai shton se qytetarët përmes votës kanë mundësi t’i japin një leksion politikës së vjetër.
“Të dashur qytetarë të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë, sot është dita më e rëndësishme për të ardhmen e vendit. Sot më shumë se kurrë, vota juaj ka rëndësi madhore për Shqipërinë, ndaj ju ftoj të dilni masivisht në këto orë të mbetura dhe të votoni. Partia Demokratike, si e vetmja forcë e djathtë pro-perëdndimore, ju fton sot të jepni kontributin tuaj dhe ky kontribut shprehet përmes votës. Vetëm duke votuar, mund t’i jepni fund politikës së vjetër, që më shumë se 32 vite, e mban peng vendin. Ndaj ftoj këdo, jo vetëm, mbështetësit e Partisë Demokratike, por çdo shqiptar të ndershëm, çdo shqiptar me shpirt të lirë, çdo shqiptar që është jashtë shantazhit, jashtë korrupsionit, jashtë joshjes që sot i japin kontribut jetik demokracisë dhe të ardhmen e vendit tonë.
Politika e vjetër po përpiqet të mbajë peng më shumë se kurrë dhe t’u ofrojë shqiptarëve klimën e tensionit dhe të parregullsive sipas traditës së mbrapshtë 32-vjeçare. Këto zgjedhje janë për të gjithë shqiptarët, që me pjesëmarrjes së tyre kanë mundësi t’i japin leksion të shkuarës që mban peng Shqipërinë”, theksoi ai.