Agron Gjekmarkaj

Ditët në Gjirokastër Margaritin e kishin përkëdhelur si puhizat Malin e Gjerë pasditeve. Tingujt e zyrnave e cyrleve i këndonin ënde në vesh. Dyzeni i Festivalit nopranëve të qytetit të gurtë u kishte dhënë mundësi të fitonin ndoca.

Ajo ngrihej ngadalë në mëngjes dhe me ritmin e melodive hapte kanatet dhe zbriste sokakëve si ortek buzëqeshjesh e bindur qe kur populli këndon qeveria s’ka qeder. Diku rrufiste një kafe kund tjetër me anetë u futej qëndismave. Xhani i desh një këngë për Babon.

Për një moment u pikëllua. Nuk i kishte vajtur mendja që atë t’ia besonte Tezes dhe Tërmetit. Ata të dy  fustanellë e xhamadanë stolisur, me  faqore në dorë, zë qëruar plot dëlirësi emocionesh mund t’ja kishin terezitur duke e ndezur skenën. Me atë nostalgji erdhi në sallë. Niko Nikoqiri e kuptoi që gjindej përballë një situate të pazontë në të cilës po i qasej në mënyrë të zakonshme duke rënë dëshmor i një kontrasti. Dukshëm në siklet u kthye tek bisedat me Tezen derisa pulsi ju normalizua nga humanizmi i saj i rigjetur. Xhafaj me një çantë perëndimore mbi shpinë hyri befas dhe vështrimi ju thye kur pa Ulsiun atje lart mbi tavolinë. Maloku i dreqit sikur psherëtiu me ka marrë karrigen.

Bela dhe Elisa janë zhytur në heshtje solemne. Herë pas herë flasin me karrigen bosh të Babos.  Ajo ju flet të dyjave. U  thotë kështu ma bëni zemrën mal, kur jeni së bashku si dy motrani e shoqeni. Ato pas kësaj buzëqeshën dhe ëmbël shkëmbyen ca llafe.

Salianji pas një debati  të ashpër mbi origjinën e Topo Xhixhos me kalamajtë e Qerretit kur pretendonte se të drejtën e kishte ai dhe jo ata ishte ulur nën një pishë për të kënduar Shën Agustinin dhe në Kuvend solli një thënie të tijen “Kohet janë tre ; e tashmja në të shkuarën, e tashmja në të tashmen, e tashmja në të ardhmen”. Pastaj dhe një tjetër “Urrejtja është helmi që pihet me shpresën që do vdesë dikush tjetër. Kjo është tha për liderin e vogël historik. Hajde qerrata hajde me një barrë mend sa te kesh frikë.

Tao ishte i lumtur se Doktori e shau i tha vagabond. Ai sillej sot si heroi i mazhorancës. Se i tha atij shko ulu në vend. Çyrbja qëkur shkroi manifestin mbi rininë rri rënde, flet pak dhe sillet si intelektual i rangut të lartë. Të shohim në vazhdim mos na kërkon ta trajtojmë si mjeshtër të shkrimit. La alltinë dhe kapi pendën i uruari. Etilda si flutur e pa zhurmë kullot ënde në pjalmin e kënaqësisë që i dha citimi i Subotkes në fjalimin e tij që veçmas e ndau.

Jorida kur i flasin hesht. Kur  i afrohen largohet. Kur është vetëm ndien vetmi derisa rrethanat i përkëdhelin narcizmin e fshehur aty ku uni i saj jo agresiv përkufizohet.

Toni kishte tre çibukë. Një të bardhë  për ditë të bardha që i pret. Një gri për ditët pa emër. Një të zi që shpreson që mos ta tymosë kurrë.

Damua nuk shihet më asgjëkund. Firauni ku të jetë vallë?

Arben Pëllumbi pret. Ai besimin ka armen më të fortë. Vendimet Babua i merr. Bana sot  ishte vetë vikama e kundër padrejtësisë. Pa u lodhur, pa u tundur , foli si profeti para Mbretit. Eni Zake vërtitej neper sallë nga një energji e panjohur. Majko kishte humbur ndjeshmërinë ndaj aktualitetit mungesa e Mimi di Puccini e krodhi në nostalgji.

Ferdinand Xhaferri shkon e vjen e kënaqur për ato që mendon e nuk thotë.  Kosta i Gramozit dhe Linditës ngjan sot me Karontin ku për të hipur në barkën e tij u merr pesëfishin.

Gaz Bardhi sillet e mbështillet si mëzi në lëmë duke shpërndarë aty këtu mirësinë që nuk i mungon. Prej së cilës Xhela mbrohej si nga shiu. Ulsiu me ndrojë , me gjunjët që i dridheshin u afrua tek Bela, kur ajo i tha ulu i qeshi shpirti dhe fytyra mori trajtën e një zabeli në pranverë. Dash Sula dhe Saimir Korreshi si dy shpirtra të ndezur të Shqipërisë së mesme dhe Opozitës kishin etje për paqe, pune e grurë.

Anila Denaj dëgjon pa kuriozitet por me seriozitet. Klotilda gëzohet për të gjitha. Zevendes Lideri Muli nuk ka ardhur. Të gjithë biem  në maraz dhe pyesim veten ku ja kemi thyer atë zemër të madhe?!  Me këtë brengë dita vazhdon në mërzi. Tani po presim Klintonin të na sheqerosë pak.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re