Greqia synon të përdorë të drejtën e saj për të shtrirë ujërat territoriale përgjatë bregut perëndimor të detit Jon nga gjashtë në 12 milje detare, njoftoi të mërkurën kryeministri Kyriakos Mitsotakis.

Ai ua tha këtë deputetëve, të cilët duhet të aprovojnë marrëveshjen për kufijtë detarë midis Greqisë dhe Italisë dhe një marrëveshje të veçantë me Egjiptin, referuar AP.

“Me ligjin që do t’i paraqitet Parlamentit për miratim, Greqia do të zgjerojë ujërat e saj territoriale perëndimore nga gjashtë në 12 milje detare,” tha Mitsotakis.

Zgjerimi i planifikuar i ujërave territoriale në Detin Jon nuk do të ndikojë drejtpërdrejt në mosmarrëveshjen aktuale greko-turke për të drejtat e ujit në Mesdheun lindor.

Sidoqoftë, Mitsotakis theksoi se Greqia po braktis dekada të politikës së jashtme “pasive”.

Më herët, ministri i Jashtëm grek  Nikos Dendias, njoftoi për një bisedë telefonike mes tij dhe kryeministrit Rama, si një përpjekje për të përmbyllur marrëveshjen detare të lënë në mes.

Për këtë arsye, Dendias pritet të vizitojë dhe Tiranën.   

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re