Gazetarja e famshme e CNN, Christiane Amanpour, po përballet me kancer ovarian për herë të tretë.
Gazetarja dhe prezantuesja ndërkombëtare e lajmeve, e cila është 67 vjeçe, u shfaq në episodin e podcast-it “Changing the Ovarian Cancer Story” të transmetuar të enjten, më 23 tetor, ku njoftoi se sëmundja e saj ishte rikthyer.

“E kam përsëri. Por është shumë mirë i kontrolluar dhe kjo është një nga gjërat që njerëzit duhet të kuptojnë kur bëhet fjalë për disa kancere”, i tha ajo prezantueses së podcast-it Hannah Vaughan Jones.
“Sigurisht, të gjitha organet përkatëse u pastruan, por kanceri u rikthye në nyjen limfatike disa herë,” shpjegoi ajo, duke iu referuar mjekut të saj për sqarime, raportoi People.
Dr. Angela George, drejtoreshë klinike e gjenomikës në Spitalin Mbretëror Marsden të Londrës, tha në emision se Amanpour ka një lloj të rrallë kanceri ovarian që përbën më pak se dhjetë përqind të të gjitha rasteve. Ajo shtoi se Amanpour aktualisht po i nënshtrohet imunoterapisë.
Amanpour tha se imunoterapia ishte “e kundërta e rraskapitjes” për të dhe se ajo nuk kishte efekte anësore. Ajo merr pilula çdo ditë dhe merr trajtim në spital çdo gjashtë javë. Sipas mjekut të saj, terapia po funksionon mirë.
Fituesja e çmimeve të shumta gazetareske zbuloi se rikthimi i dytë dhe i tretë i sëmundjes u zbuluan falë kontrolleve të rregullta që kryen çdo tre muaj.
“Fakti që jam vazhdimisht nën mbikëqyrje është një lloj garancie,” tha Amanpour.
Duke folur për përvojën e saj me sëmundjen, Amanpour shpërtheu në lot në një moment, duke folur për mbështetjen që pati gjatë trajtimit të saj.
“Nuk kam kërkuar kurrë ndihmë më parë… dhe kur e bëra, e mora. Nga familja, miqtë, kolegët – nga të gjithë. Më preku thellë, por gjithashtu më ndihmoi shumë,” tha ajo.
“Më mbajti vërtet në këmbë, sepse nuk ka të bëjë vetëm me sëmundjen, por edhe me gjendjen mendore. Isha me fat që njerëzit më pyesnin çdo ditë se si po shkoja dhe si mund të ndihmoja… ai komunitet është në të vërtetë thelbësor dhe ndihem jashtëzakonisht me fat që e kam pasur,” theksoi ajo.

Amanpour u diagnostikua për herë të parë me kancer në vezore në maj 2021. Dhjetë ditë më vonë ajo iu nënshtrua një ndërhyrjeje të rëndë kirurgjikale, e ndjekur nga 18 javë kimioterapi.
Në prill 2022, ajo foli hapur për revistën People për përvojën e saj, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e zbulimit të hershëm të sëmundjes.
“Kanceri në vezore njihet si një vrasës i heshtur,” tha ajo në atë kohë. “Bëni të gjitha kontrollet që mundeni. Ne gratë e dimë më mirë se çfarë po ndodh në trupin tonë dhe duhet t’i besojmë vetes. Nëse diçka nuk është në rregull, duhet të hetohet.” /tesheshi.com/



