Gjykata e Lartë i ka thënë jo rekursit të Fredi Belerit për të lënë qelinë e paraburgimit ku aktualisht gjendet prej 12 majit.
Kërkesa për të zbutur masën e sigurisë së arrestit me burg për të mandatuarin e Himarës, vjen në një kohë kur shkalla e parë e Gjykatës së Posaçme, ashtu edhe Apeli i Posaçëm, u shprehën kundër kërkesës për t’u liruar.
Rrjedhimisht, fituesi i zgjedhjeve në Himarë humbi të drejtën për tu betuar përpara këshillit bashkiak në mbledhjen e radhës, një betejë kjo e vazhdueshme e ekipit të tij ligjor.
Avokatët e Belerit thanë për Vizion Plus se hapi i radhës mbetet dërgimi i çështjes në Gjykatën Kushtetuese, por ata nënvizojnë se nuk kanë shpresë se klienti i tyre do të lirohet.
Në këto kushte, besimi i vetëm i avokatëve është te Gjykata e Strasbourg-ut.
Kandidati i “Bashkë Fitojmë”, nga burgu i ka bërë thirrje organizatave ndërkombëtare të mbrojnë demokracinë dhe shtetin e së drejtës, në mënyrë që ai të lirohet, qoftë edhe në mënyrë të përkohshme për të kryer betimin e tij si kryetar i zgjedhur i bashkisë Himarë.
Në këtë letër që i është dërguar këshillit bashkiak dhe qytetarëve ai ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se qëndron pas arrestimit dhe mbajtjes së tij në burg.
Fredi Beleri dhe Pandeli Kokaveshi u arrestuan dy ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit. Ata u akuzuan për korrupsion aktiv, nën dyshimet se kanë blerë vota në favor të kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”.
Sipas organit të akuzës, Beleri dhe Kokaveshi ofronin nga 5 deri në 20 mijë lekë në këmbim të votave, por kishte edhe premtime për pensione, si dhe nënshtetësi greke.