Nënkryetari i Partisë së Lirisë, Agim Nesho, ka folur në studion e Neës24 për çështjen “Beleri” dhe bllokimin e negociatave për anëtarësimin në BE nga Greqia, si pasojë e kësaj çështjeje.

Ai është shprehur se autori i krizës me shtetin fqinj pas arrestimit të Fredi Belerit është vetëm kryeministri Edi Rama.

Nesho shton se bllokimi i negociatave mund të çojë me vonë edhe në pezullimin e lëvizjes së lirë për shqiptarët.

“Prishen interesat e Shqipërisë. Nesër pasnesër, bllokimi i negociatave mund të çojë në një moment tjetër të lëvizjes së lirë që është një nga kushtet kryesore të integrimit. Ky është një moment që deliri i Ramës si gjithmonë i prodhon politikës shqiptare. Pesë kapitujt e parë që do të diskutohen janë respektimi i të drejtave të njeriut dhe minoriteteve.

Shqipëria ka draftet më përparimtare. Çështja është një pushtet që ka kapur të gjitha organet dhe psikologjia e autoktratit që çdo gjë do ta kontrollojë vetë. Ka një shkaktar të kësaj krize dhe ky fatkeqësisht është kryeministri i Shqipërisë. Drejtësia shqiptare ka një problematikë shumë të madhe dhe po pezullohet gjithnjë e më tepër.

Në lidhje me raportet e BE ka një përgjegjësi dhe përgjegjësia është konkrete. Kjo drejtësi është iniciuar nga ai dhe financuar nga 20 milionshi i famshëm i Sorosit. Nuk është zhvilluar në kushtet e një ambienti demokratik. A mund të ketë drejtësi në një pushtet që i ka kapur të gjitha dhe kontrollon të gjitha institucionet?! Ne po shikojmë se sa të politizuar janë kur bëjnë goditje selektive. Nëse do të shikonim një drejtësi të paanshme do të shihnim që në krye të herës do të hetonte ata që po bëjnë afera korruptive”, tha ai.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re