Mbi 1.8 milionë euro u mblodhën në një ditë të vetme në Belgjikë si ndihma për të prekurit e tërmeteve të muajit të kaluar në Türkiye dhe Siri duke iu përgjigjur thirrjeve të organizatave më të mëdha bamirëse në vend.

Në një deklaratë të martën, konzorciumi 12-12, ku bëjnë pjesë shtatë organizatat më të mëdha bamirëse të Belgjikës tha se “1.8 milionë euro janë mbledhur për viktimat e tërmeteve në Türkiye dhe Siri në ditën e madhe të solidaritetit më 6 mars”.

Duke shënuar një muaj nga katastrofa, të gjitha mediat belge dedikuan programe apo përmbajtje për efektet katastrofike të tërmeteve dhe u bënë thirrje njerëzve të japin donacione.

“Dita e solidaritetit përfundoi me një rezultat mbresëlënës”, tha Gilles Van Moortel, koordinatori i konzorciumit, duke shpjeguar se kanë mbledhur tre herë më shumë donacione sesa në një ditë mesatare për shkak të mbulimit mediatik.

Shuma e mbledhur të hënën paraqet 15 për qind të mjeteve, duke e çuar totalin në 11.6 milionë euro.

Anëtarë të konzorciumit janë Caritas International, Kryqi i Kuq i Belgjikës, Handicap International (Humanity&Inclusion), Medecins du Monde, Oxfam Belgium, Plan International Belgium dhe UNICEF Belgium.

Organizatat bamirëse mblodhën mbi 8.27 milionë euro në dy javët e para pas tërmeteve, sipas të dhënave të tyre.

Më shumë se 46.100 njerëz humbën jetën në Türkiye nga tërmetet me magnitudë 7.7 dhe 7.6 më 6 shkurt, sipas zyrtarëve.

Lëkundjet e forta, me epiqendër në provincën Kahramanmaraş, goditën edhe 10 provinca të tjera: Hatay, Gaziantep, Adiyaman, Malatya, Adana, Diyarbakir, Kilis, Osmaniye, Sanliurfa dhe Elazig.

Rreth 13.5 milionë njerëz janë prekur nga tërmetet shkatërruese në Türkiye, të cilat goditën në më pak se 10 orë.

Tërmetet gjithashtu tronditën disa vende fqinje dhe shkaktuan shkatërrim të gjerë në veri të Sirisë, ku raportohet se humbën jetën rreth 6.000 njerëz, sipas shifrave të OKB-së duke cituar burime lokale dhe qeveritare.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re