Koalicioni qeveritar belg ka njoftuar se ka rënë dakord për reformën e ligjit të punës, ndër të tjera duke paraqitur mundësinë për 4 ditë pune në javë.

E ashtuquajtura “marrëveshja e punësisë” synon të ofrojë më shumë fleksibilitet dhe liri në kushtet e punës, me qëllim që deri në vitin 2030 të rrisë shkallën e punësimit te popullsia e rritur në mbi 80 për qind nga shkalla aktuale prej 70,6 për qind.

Si aspekti më i rëndësishëm i reformës, Belgjika do të reduktojë javën e punës me kohë të plotë nga pesë ditë në katër, por duke mbajtur të njëjtin numër të orëve javore të punës.

Në terma praktike, njerëzit me kontratën standarde belge, nëse duan do të mund të punojnë dhjetë orë në ditë në vend të tetë orëve, që në këmbim çdo javë të kenë një ditë shtesë pushimi.

Njerëzit po ashtu do të lejohen të zgjedhin opsione të tjera, të tilla si pushimi i një jave të tërë ose ndërrimi i orëve të punës çdo javë.

“Marrëveshja e punësisë” synon të përforcojë të drejtat e punonjësve më të cenueshëm, siç janë punonjësit e platformës, si dhe propozon një marrëveshje kolektive në tregtinë elektronike.

Ajo po ashtu inkurajon punonjësit të avancojnë në karrierën e tyre duke u dhënë të drejtën për pesë ditë të paguara për trajnim dhe duke mbështetur kalimin midis dy vendeve të punës.

Projekt-ligji i bazuar në marrëveshje akoma nuk është miratuar në parlamentin federal.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re