Deputeti i Partisë Demokratike Belind Këlliçi, shprehet se SHBA nuk mund të ndërhyjë në çështjet e brendshme të partisë demokratike. I ftuar në emisionin Java në Dritare TV, Këlliçi u shpreh se SHBA mbetet partnere strategjike e PD-së.
Në lidhje me Kuvendin e thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha që do të mbahet nesër në stadiumin Air Albania, deputeti i PD tha se do të votohet për shkarkimin e Bashës dhe ndryshimin e statutit.
“Për mua deklaratat e zotit Escobar janë tejet korrekte. Padiskutim që lufta kundër korrupsionit, është një gangrenë jo vetëm për Shqipërinë. Qasja e SHBA-ve dhe e zotit Escobar ndaj Partisë Demokratike ka qenë gjithmonë e paluhatur dhe ky është një lajm i mirë.
SHBA ka qenë gjithmonë një partner strategjik i opozitës. Fjalët se do të ndërhyjë në çështjet e brendshme të PD-së, janë përralla. SHBA nuk i bën këto, ndaj jam i lumtur që SHBA përfaqësohet me diplomatë të përgjegjshëm dhe të interesuar në forcimin e demokracisë”, u shpreh Këlliçi.
