Kandidati i Opozitës për Bashkinë e Tiranës, Belind Kelliçi ka prezantuar sot një prej projekteve më abicioze për ndryshimin në qytet, “TI Tirana”.

 

Ky aplikacion do të vijë në ndihmë të qytetarëve, me informacione të bollshme, në shumë drejtime. Cilido shërbim do të jetë funksional, dhe në telefonin e çdo përdoruesi. Që nga orari i mbërritjes së autobuzit, hapësirat boshe në parkingje, apo edhe rreth eventeve që ndodhin në qytet. Si dhe të dhënat e duhura për turistët e vizitorët.

 

Këtë risi, Belind Kelliçi e prezantoi sot sëbashku me ekspertin e fushës, Gent Progni, që është dhe pjesë e ekipit të kandidatit për Bashkinë e Tiranës.

 

“Me zhvillimet më të reja në Inteligjencën Artificiale bota po ndryshon në mënyra të paimagjinueshme dhe shumë shpejt. Për të ndjekur hapin e kohës, në projektin tim për Tiranën Inteligjente, TI Tirana, teknologjia do të vihet në përdorimin më të mirë për të krijuar një mjedis urban modern, duke u përqendruar tek ti dhe nevojat e tua të përditshme”, u shpreh Kelliçi.

 

Në qendër të këtij plani është trafiku, që do të jetë më i lehtë dhe i menaxhueshëm me zbatimin e aplikacionit TI Tirana.

 

Urbanin do ndjekësh lehtësisht nga celulari, për të parë se ku gjendet dhe kur mbërrin.

 

Stacionet do të kenë të dhëna bazike dhe pika karikimi. Udhëzuesit për përdorimin e linjave, si dhe informacionet turistike do të jenë të gjitha në dorën e kujtdo që ka një celular.

 

Këlliçi tha se kjo ju vjen në ndihmë drejtuesve të mjeteve.

 

“Nëse je shofer, ky aplikacion do ta mundësojë të dallosh parkingjet e lira dhe ta prenotosh vendin para se të arrish. Ata që kanë parkingje private, do të mund t’i japin në përdorim sa herë që i kanë të lira dhe të përfitojnë nga kjo. Ata që kanë makina elektrike, do kenë më shumë pika karikimi”.

 

Semaforët inteligjentë do të vihen në punë që t’i përshtaten mbingarkesës, duke e shfryrë trafikun.

 

Koshat e mbeturinave përmes sensorëve do të ndihmojnë për një mjedis më të pastër.

 

Me Tiranën Inteligjente, Interneti do të jetë falas në të gjitha hapësirat publike dhe vende të caktuara do kenë informacione shtesë si për turistët, ashtu dhe për banorët.

 

“Jam i përkushtuar që Bashkia ta ndërthurë tekonologjinë maksimalisht me mjedisin urban, që TI t’i kesh në dorën tënde qytetin, eksperiencat më të mira dhe jetën më të lehtë, në një ambient shumë më të pastër, të qetë dhe të rregullt”, u shpreh Këlliçi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re