Skip to content

Belinda Balluku në Athinë: Shqipëria synon të bëhet eksportuese neto energjie deri në 2030 (VIDEO)


Zëvendëskryeministrja dhe Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, mori pjesë në takimin e 6-të të Partneritetit për Bashkëpunim Transatlantik në Energji (P-TEC 6) në Athinë, ku u diskutuan sfidat dhe mundësitë për sigurinë energjetike në Europë.

Balluku theksoi gjatë sesionit ministerial vizionin e Shqipërisë për t’u kthyer nga vend importues në eksportues neto energjie brenda vitit 2030. Ajo prezantoi projektet strategjike të interkonjeksionit, duke përfshirë korridorin VIII energjetik dhe linjën Lindje-Perëndim, që lidh Rumani, Bullgari, Maqedoni të Veriut, Shqipëri dhe Itali. Ndërtimi i linjës nënujorë nga brigjet e Shqipërisë drejt Italisë u vlerësua si një investim kyç për sigurinë energjetike të Europës Juglindore.

Takimi u shënua edhe nga fjalimet e Sekretarit Amerikan të Energjisë, Chris Wright, i cili theksoi rëndësinë e bashkëpunimit transatlantik dhe përdorimin e teknologjive të reja, përfshirë inteligjencën artificiale, për të siguruar qëndrueshmëri në sektorin e energjisë. Kryeministri grek Mitsotakis njoftoi se për herë të parë në vitin 2024 Greqia do të kthehet në një eksportuese neto energjie.

Balluku vlerësoi angazhimin konkret të Departamentit Amerikan të Energjisë dhe theksoi rolin kyç të energjisë në sigurinë botërore, duke prezantuar edhe bashkëpunimin me Sekretarin Amerikan të Punëve të Brendshme, Doug Burgum.

Takimi i P-TEC 6 nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit transatlantik dhe rajonal për sigurimin e energjisë dhe për zhvillimin e projekteve strategjike që do të përmirësojnë stabilitetin energjetik të Europës.