Një projektligj i ri i cili po kalon pa shumë zhurmë në komisionet parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë, për t’u kthyer në ligj, do t’i detyrojë shqiptarët të nxjerrin prej xhepave të tyre edhe dhjetëra milionë euro më tepër te pompa ku furnizojnë përditë makinat e tyre me karburant.

Si një nga vendet në rajon, por dhe në Evropë me çmimin më të lartë për litër karburant (taksat për 1 litër variojnë deri në 120 lekë), ky çmim do të rritet edhe më shumë menjëherë pas miratimit të projektligjit për ‘metrologjinë’ ku parashikohet se kontrollin e pompave do të vijojë ta kryejë privati, por pa limite.

Ndryshimi i ligjit të mëparshëm i arsyetuar me disa mangësi për shkak të inovacioneve në teknologji si dhe rënien ndesh të koncesionit me ligjin e vjetër me sa duket erdhi dhe me një arsyetim të ri: Jemi që jemi, pse mos të marrim më shumë…

Në ligjin e vjetër, koncesionari kishte të drejtën e 2 kontrolleve në një pompë gazi apo nafte, ndërsa në projektligjin e fundit parashikohen kontrolle pa kufizime çka do të thotë se në rast se një pikë i paguante koncesionarit 14 mijë lekë për 2 të tilla, në të ardhmen ky i fundit mund të veprojë me moton: Qielli është kufiri…

Dhe si përherë, kostot e një ‘çmendurie’ të tillë nuk do ti përballojë i vetëm biznesi, i cili me shtimin e tyre, një pjesë domethënëse do ta shkarkojë te pika fundore që është konsumatori.

Ndaj kurdo që koncesionarit t’i shtohet oreksi për më shumë para’, pa hezitim mund të ‘mbërrijë’ te pompa e naftës dhe e gazit duke lënë një faturë e cila sigurisht që do të pasohet tek ne sa herë të ndezim makinën… (Faxweb.al)

/faxweb