Policia e Kosovës ka nisur hetimet, pasi në Mitrovicën e Veriut persona ende të paidentifikuar, kanë shpërndarë fletushka të ndryshme që bëjnë thirrje për rezistencë dhe nxitje të urrejtjes. Në njoftimin e policisë bëhet e ditur se fletëpalosjet janë shpërndarë në hyrje të banesave dhe në rrugë të ndryshme.

Zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka deklaruar për media se dyshohet që këto fletushka u shpërndan një ditë më parë gjatë dhe pas protestës. Deri më tani nuk ka ende persona të dyshuar apo të arrestuar.

Lista Serbe ka thënë se me veprime të tilla po tentohet të fajësohen serbët për incidente të reja të mundshme, ndërsa iu ka bërë thirrje atyre të mos bien pre e provokimeve.

Fletushkat, të cilat janë shpërndarë në kanale të ndryshme edhe në Telegram, përmbajnë udhëzime të supozuara për rezistencë ndaj policisë së Kosovës.

Përmes fletëpalosjeve jepen udhëzime të detajuara se si të qëllohen dhe ofendohen punonjësit e policisë, si të thyhen automjetet e policisë dhe si të krijohen molotovë.

Një ditë më parë serbët e veriut dolën në protestë për të kundërshtuar vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës, e cila përjashton valutën serbe nga përdorimi në vend. Ky rregull i ri ka tensionuar edhe më shumë situatën në katër komunat veriore dhe marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Beogradit. /

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re