Beogradi ka shpallur se ka zbuluar një dokument sekret të Prishtinës, i cili në fakt është një listë vendesh që pritet të ndryshojnë qëndrimin e tyre negativ për Kosovën.

Siç bën të ditur gazeta Srbski Telegraf, Ministri i Jashtëm Ivica Daçiç tha se zyrtarët e tij kanë zbuluar listën e fshehtë.

Sipas Beogradit, Prishtina planifikon të ushtrojë presion mbi këto vende në mënyrë që të fitojë anëtarësimin në disa organizata ndërkombëtare dhe ka edhe një listë të vendeve që janë përgjegjëse për zbatimin e këtij presioni.

Srbski Telegraf raporton se Austria, SHBA, Gjermania, Italia, Franca, Britania e Madhe kanë marrë përdipër të lobojnë tek shtetet që ata kanë influencë siç janë: Armenia, Algjeria, Bolivia, Egjipti, Jamaica, Meksika, Nepali, Sllovakia, Tunisia , Zambia.

Daçiç tha se Serbia ka zbuluar planin e fshehtë dhe se Prishtina, përveç kësaj listë sekrete, gjithashtu po ndërmerr një sërë aktivitetesh së bashku me disa vende perëndimore.

“Ata po organizojnë takime për të afirmuar pavarësinë e tyre, ku shtetet e mëdha po punojnë me vendet që kanë në patronazh”, tha Daçiç.

Duke komentuar mbi raportet e mediave se Prishtina paguar lobistë, ministri i Jashtëm serb tha se kjo tashmë nuk është më një sekret dhe që ka të bëjë me dy firmat lobuese: njëra prej tyre në Francë dhe tjetra nga Shtetet e Bashkuara.

Kur u pyet në lidhje me përgjigjen e Serbisë për aktivitete të tilla, ai tha se “përgjigja jonë është e dukshme për shkak se gjithnjë e më shumë vende janë duke tërhequr njohjen e Kosovës, sepse kjo është një fortesë e ndërtuar mbi baza të rreme dhe kalaja nuk rri as në qiell e as në tokë”.

Shumica e këtyre vendeve përballen me presion të vazhdueshëm dhe propozime të pahijshme, shtoi Daçiç.

I pyetur nëse Serbia do të punësojë lobistë, Daçiç tha se kur paraardhësi i tij, Vuk Jeremiç ka shërbyer si ministër i Jashtëm, Serbia punësoi firmën Podesta, “por se bashkëpunimi nuk mbaroi mirë për shkak se firma loboi për shqiptarët në të njëjtën kohë “.

“Për momentin nuk kemi punësuar askënd, por mendoj se duhet dhe se kjo duhet bërë sepse të gjitha vendet e botës po e bëjnë këtë”, tha Daçiç.

Sipas tij, çmimet variojnë nga 600.000 deri në 2 milionë dollarë në vit. 

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re