Presidenti serb Aleksandar Vuçiç nuk ishte i kënaqur me deklaratat e Moskës se çmimi i gazit do të rritet në 2000 euro për mijë metër kub.

Edhe pse disa muaj më parë ai ishte në Moskë dhe ra dakord për çmimet e favorshme të gazit, diku rreth 300 euro.

Ivica Daçiç, lideri i SPS-së, pasardhësi i Sllobodan Millosheviçit, tha se Serbia nuk do të marrë pjesë në luftën vëllavrasëse mes ukrainasve dhe rusëve.

Ne duam të ruhet paqja. Nuk është e lehtë të shohësh se si dy kombe vëllezër grinden lehtësisht në interes të palëve të treta, siç janë rusët dhe ukrainasit”, ka thënë Daçiç.

Dhe ai pyeti veten retorikisht pse dikush tani do t’i kërkonte Serbisë të deklarohej.

“Si komb, ne kemi qenë gjithmonë të guximshëm për të thënë jo. Faleminderit turqve që na mësuan të themi ‘jo’,” tha Daçiç.

Ndërkohë në Beograd kanë mbërritur dy kërkesa që Serbia të deklarohet.

“Amerika beson se Serbia do të qëndrojë krah për krah me BE-në në respekt të ligjit ndërkombëtar për të mbrojtur paqen, prosperitetin dhe stabilitetin në të gjithë rajonin,” tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.

Ai shtoi se Uashingtoni përshëndeti deklaratën e fundit të Presidentit Vuçiç se Serbia e kupton rëndësinë e respektimit të integritetit territorial të Ukrainës.

Vendet në procesin e negociatave për anëtarësimin në BE kanë detyrimin t’i përshtatin politikat e tyre me Sigurinë e Përbashkët dhe Politikën e Jashtme të Unionit. Sipas Komisionit Evropian, në vitin 2020 Serbia mbështeti 56% të vendimeve të BE-së dhe Këshillit, dhe deri në gusht 2021 përqindja ishte rritur në 61.

Zëdhënësi i BE-së Peter Stano tha se “Serbia është një vend kandidat dhe për këtë arsye pritet të jetë në përputhje me vendimet e BE-së në fushën e politikës së jashtme dhe të sigurisë”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re