51-vjeçari Kasëm Brisku banues në fshatin Fier-Mimar të ish-komunës Kozare është zhdukur nga banesa prej 6-ditësh dhe askush nuk di asgjë për fatin e kryefamiljarit. Ka qenë mëngjesi i së martës së dt.27 Shkurt,hera e fundit që është parë nga familjarët e tij,që kur janë zgjuar në mëngjes nuk e kanë gjetur në shtëpi dhe nuk e kanë parë më që prej asaj dite.

Pasi kanë pritur deri nga pasditja e së martës, familjarët kanë filluar ta kërkojnë në fshatrat përreth, tek të afërmit si dhe në qytet por pa asnjë rezultat. Pasi nuk kanë mundur dot ta gjejnë familjarët kanë njoftuar menjëherë policinë. Bashkëshortja e Kasëmit, Xhevaire Brisku shprehet se bashkëshorti i saj nuk dilte asnjëherë nga banesa pa njoftuar se ku do shkonte dhe atë mëngjes askush nuk e ka ndjerë kur ka dalë nga shtëpia.

Sipas Xhevaires,mendohet se Kasëmi ka dalë rreth orës 04:00-05:00  të mëngjesit me rrobat e shtëpisë dhe pa marrë as celularin me vete. Ajo pohon se bashkëshorti i saj nuk vuan nga asnjë lloj sëmundjeje dhe nuk do ta braktiste kurrë familjen me dëshirën e tij. Xhevairja i bën thirrje policisë të hetojë dhe të gjejë personin që e ka nxjerrë atë mëngjes,në të gdhirë,nga banesa. “Në datë 27 shkurt hëngrëm darkë dhe ramë në gjumë, në mëngjes filluan vetëtimat, vajza kishte frikë, u ngrit dhe thërriti.

I dha të atit se kishte frikë nga vetëtimat, çupa erdhi te unë, ai shkoi me fjetur në vendin e saj. Kishte pirë dy cigare, u ngrita në mëngjes për t’i dërguar kafen, ai kishte ikur nga shtëpia pa dijeni, kishte ikur me rrobat e shtëpisë. Në mëngjes ikte në lagje, por telefonin e kishte lënë në shtëpi. Telefonin ia dhamë policisë, e cila u njoftua atë ditë në orën 14:00. Unë nuk kam dyshime, se ai nuk më la asgjë. Nuk kishte probleme shëndetësore, në fshat nuk e kishin parë” deklaroi gruaja.

Djali i Kasëmit,Fitim Brisku dyshon se babai i tij mund të jetë rrëmbyer,kjo për shkak se ai ka pasur një konflikt ende të hapur me 2 persona nga fshati Kozare,konflikt që ka ndodhur në Qershor 2017. Fitimi shprehet se,personat me të cilët babai i tij ishte konfliktuar vazhdonin ti telefononin ende për sqarime të ngjarjes por ata nuk kishin pranuar. Sipas Fitimit,rrëmbimi i babait të tij është e vetmja mundësi për të shpjeguar largimin e tij,pasi dyshimet e para se mund të ishte mbytur në lumë janë hedhur poshtë pas kërkimeve që kanë bërë polombarët 2-ditë më parë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re