Bibliotekat e shkollave 9-vjeçare të Bashkisë së Beratit janë pasuruar me libra të rinj, falë iniciativës së klubit letrar artistik “Në Gjurmet e Dodonës”.
Aktiviteti, i cili u zhvillua në Bibliotekën “Vexhi Buharaja”, u organizua nga Zyrat Vendore të Arsimit (ZVA) në Berat, në bashkëpunim me shkollat 9-vjeçare të qytetit. Nxënësit e këtyre shkollave kishin përgatitur një program artistik si një mënyrë origjinale falënderimi për këtë dhuratë.
Në aktivitet morën pjesë drejtues të ZVA, nxënës, mësues, drejtues shkollash, përfaqësues të shtëpisë botuese “Dituria”, si dhe drejtues e aktivistë të klubit letrar artistik “Në Gjurmet e Dodonës”.
Ana Tisi, presidente e këtij klubi, poete dhe prozatore, autore librash për fëmijë, shprehu kënaqësinë për këtë iniciativë, duke vlerësuar rëndësinë e pasurimit të bibliotekave dhe botës së fëmijëve me libra të rinj.
Në këtë aktivitet morën pjesë gjithashtu Drita Isufaj, pedagoge në Universitetin e Durrësit, dhe Egriselda Allushi, mjeke, poetë dhe koordinatore e aktiviteteve të klubit “Në Gjurmet e Dodonës”.
Në fund të aktivitetit, të pranishmit ndoqën një program artistik të organizuar enkas për këtë rast.
Sot u dhuruan 94 tituj librash, në total 394 kopje, të cilat do të pasurojnë bibliotekat e shkollave 9-vjeçare dhe do të kontribuojnë në zhvillimin kulturor dhe intelektual të fëmijëve të qytetit të Beratit.
