Të dielen e kaluar në ditën e Fitër Bajramit policia ka ndërhyrë në bizneset e Beratit për ti mbyllur ato pa i treguar qytetarëve asnjë dokument ku bazonin këtë akt. Por shumë pronarë të bizneseve, qytetarë dhe activist kanë qendruar përballë policisë duke i kërkuar atyre të paraqesin një urdhër me shkrim për mbylljen, pasi sipas tyre janë zonë e gjelbër, dhe përvec postimit në facebook të kryeministrit nuk ka asnjë bazë ligjore për mbylljen e bizneseve të tyre.

Ndër aktivistët që qendruan përballë policisë ishte edhe Namir Laprardhaja, i cili dje u ka bërë thirrje në facebook për të mos ju bindur urdhërit për mbyllje edhe këtë fundjavë.

Shkelmi i pushtetit në grykën e popullit nuk diferencon në të majtë e të djathtë

Nga Namir Lapardhaja

Një javë më parë, në pedonalen e qytetit, së bashku me një grup të vogël pronarësh lokalesh, u përfshiva në qëndresën e tyre për të mos zbatuar një urdhër të ardhur nga facebook-u i Kryeministrit për të mbyllur bizneset në fundjavë. Urdhri virtual nuk diferenconte në të djathtë dhe të majtë. Ishte i njëjtë për të gjithë. Reagimi bëri që ata të vijojnë punë normalisht. Të reagosh nuk do të thotë që po bën lojën e dikujt. Aq më tepër kur bëhet fjalë për bukën e gojës dhe për mbijetesën e përditshme. Të reagosh do të thotë që të kërkosh një të drejtë të mohuar nga qeveria, por edhe të “edukosh” opozitën. Qeverisë i tregon se nuk mund të të nëpërkëmbë, kurse opozitës i thua se, nëse vepron njëlloj, të pret reagimi i njëjtë. Nëse ulet koka sot, do të thotë që ke përcaktuar standardin e së keqes për nesër. Je ti ai që vendos.
Virtual-fermani i Kryeministrit Rama u lëshua edhe për këtë fundjavë. Sërish gjithçka mbyllur. Nuk mund të ngushëllohemi me preteksin e herës së fundit. Pas një mbylljeje të gjatë, e cila nuk justifikoi për asnjë moment situatën e vërtetë të rrezikshmërisë së virusit në Shqipëri, ky njeri duket se e ka humbur lidhjen me realitetin. Ai nuk e kupton gjendjen e ekonomisë në vend. Qeveria qendrore mbyll punën, ajo lokale rrit tarifat. Biznesi vdes.
Thirrja ime për bizneset në Berat, është të mos i binden urdhrit të facebook-ut të të parit të qeverisë, por të reagojnë duke i mbajtur hapur. Të mos frikësohen, sepse pushteti i trembet reagimit të popullit më shumë se sa djalli temjanit. Përçartjet virtuale nuk kanë kurrfarë vlere juridike. Edhe kur vijnë nga Kryeministri.
Në bazë të nenit 17 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, kufizimet e të drejtave dhe lirive mund të vendosen VETËM me ligj, VETËM për një interes publik, ose për mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve. Ky nen e përcakton qartë që kufizimi duhet të jetë në përpjestim me gjendjen që e ka diktuar kufizimin. Po ashtu, neni 174 sqaron se pas datës 23 maj, “gjendja e fatkeqësisë natyrore”, e ndërmarrë më 24 prill, është ANTIKUSHTETUESE, sepse qeveria detyrohet t’i drejtohet Parlamentit dhe të raportojë për gjendjen, duke kërkuar pëlqimin e tij për shtyrje të kësaj situate.
Ajo që del e thotë Edi Rama në dritaren qeveritare të facebook-ut është e paligjshme dhe në funksion vetëm të propagandës.
Policia e shtetit nuk duhet të bjerë pre e paligjshmërisë së qeverisë dhe të bëhet palë më shkelësit e ligjit. Policia duhet të jetë në mbrojtje të ligjeve të shtetit dhe jo të paligjshmërisë së pushtetit.
Ka ardhur koha të reagojmë për veten. Zhvillimi ekonomik na bën të lirë. Ata duan të na varfërojnë, sepse ashtu na sundojnë më lehtë. Është momenti të mos zvarritemi për të mbijetuar, por të jetojmë me kokën lart. Duke reaguar, mund t’i tregojmë se jemi popull me dinjitet, që nuk nëpërkëmbemi. Që jemi të ndjeshëm ndaj së keqes së pushtetit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re