Në varrezat e Suelasit në qytetin e Beratit edhe te vdekurit nuk po prehen të qetë,pasi prej disa kohësh në këto varreza janë duke u vjedhur zbukurime të ndryshme me vlerë si dhe vazot prej bronzi. Vjedhjet në shumtën e rasteve kanë ndodhur gjatë natës,për shkak se varrezat nuk janë të rrethuara me mur në disa krahë ku janë shtuar sipërfaqet e reja. Thyerje të fotografive prej porcelani,grabitje të vazove të ndriçimit të bronzit si dhe dëmtime të llojeve të ndryshme e deri në shkatërrim të pllakave prej mermeri të varreve është panorama e sotme në varrezat e Suelasit të qytetit të Beratit.

Roja i varrezave, Polizoi Tavanxhiu tregon se,pasi ka konstatuar vjedhjet e shumë varreve ai ka njoftuar menjëherë policinë. Tavanxhiu shprehet se,dhunuesit dhe hajdutët e varreve janë përdorues droge por edhe persona nga shtresat vulnerabël, ndërkohë që-sipas tij-vjedhjet në të shumtën e rasteve kryhen gjatë natës. Tavanxhiu deklaron se,masa duhet të merren edhe ndaj pikave të grumbullimit dhe mbledhjes së hekurishteve,ku hajdutët i çojnë për shitje sendet e vjedhura në varreza.

“Tani e mori vesh policia nuk po vjedhin më. I mori hajdutët në birucë dhe spo vidhet më. Erdhi polici i krimeve të rënda. Vidhen gotat e bronxit. Kanë kapur policia hajdutët, janë njerëz që pinë drogë ata vjedhin. Gjatë natës vijnë hyjnë, familjarët ankohen më thonë mua pse kanë vjedhur. Policia erdhi direkt dhe na ndihmoi për t’i gjetur hajdutët nëpërmjet gishtave. Gjoba duhet t’i vendosë gjoba personave që mbledhin sendet e vjedhura të varrezave. Janë 32 vite që vetëm vidhet në varreza”, tha roja i varrezave, Polizoi Tavanxhiu.

Edhe qytetarët deklarojnë se,ky fenomen vjedhjesh është shtuar së tepërmi në varreza dhe thuajse kudo,në çdo varr,janë shqyer kupat e bronxit dhe janë dëmtuar.Ata pohojnë se,edhe pse janë ankuar disa herë,askush nuk ka marrë masa për parandalimin e këtij fenomeni të turpshëm.

“Prandaj ata bëjnë mëkatin më të madh, atë punë kanë do ushqehen dhe marrin drogë. Skemi ku ankohemi, policia nuk zgjidh problemet me familjet që zihet burri me gruan dhe s’merren me varrezat”, u shpreh një qytetar.

Vjedhja dhe dëmtimi i Varrezave Publike të Suelasit në Berat është një fenomen i njohur prej vitesh. Varret e dëmtuara nga hajdutët janë me pllaka betoni,ndërsa dhunohen për t’u përdorur për skrap pjesët metalike dhe sendet me vlerë,me qëllim shitjen më pas në treg.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re