Banorët e fshatit Dushnik, njësia administrative Otllak në Berat kanë tashmë rrugë të shtruara si dhe me ndriçim. Në zbatim të këtij projektit, kryetari i bashkisë së Beratit, Petrit Sinaj, përuroi sot disa nga segmentet dytësore të rikonstruktuara të këtij fshati, të shtruara me beton dhe çakull, duke zgjidhur shqetësimin e banorëve të këtij komuniteti.

Konkretisht janë shtruar 135 metra linearë rrugë me beton, ndërsa në fshatin Ullinjas është bërë mirëmbajtje rruge me stabilizant në një gjatësi prej 1 km. Po ashtu u inspektuan punimet që po kryhen për ndriçimin e fshatit Dushnik (investim 80 milionë lekë), në rrugën kryesore dhe rrugët e brendshme të këtij fshati, në një gjatësi prej 2,4 km, ku në total do të vendosen 74 ndriçues Smart LED.

Është hera e parë që po kryhet një investim i tillë për vendosjen e rrjetit të ndriçimit në këtë fshat. Në komunikimin e tij për mediet, kryebashkiaku Sinaj shprehu vendosmërinë për zbatimin me cilësi dhe korrektësi të të gjitha projekteve infrastrukturore që janë planifikuar për lagjet dhe njësitë administrative./ ATA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re