Skip to content

Berat/ Çelet ekspozita e piktorit Ermal Mbrakulli, prezantohen rreth 40 punime në vaj, akrilik dhe grafikë! Me dhjetëra artdashës të pranishëm

Në Galerinë e Arteve “Eduart Lear” në qytetin e Beratit është çelur ekspozita vetjake “Identitete në Tranzicion” e piktorit të talentuar Ermal Mbrakulli, një emër i njohur për artdashësit beratas dhe jo vetëm.

Në ceremoninë e hapjes morën pjesë pushtetarë lokalë, artdashës nga qyteti i Beratit, si edhe vizitorë vendas e të huaj.

Ekspozita përmbante rreth 40 punime në vaj, akrilik dhe grafikë, ku spikasnin ngjyrat e forta dhe tonet e ndezura.

Sipas vetë piktorit Ermal Mbrakulli, frymëzimi i veprave vjen nga realiteti i tranzicionit të zgjatur dhe demokracia e vonuar shqiptare. Në qendër të temave të ekspozitës janë realja dhe surealja, si edhe “maskat” që vesh njeriu për të arritur atë që synon.

Drejtori i galerisë, Arben Jaupaj, u shpreh se Berati njihet për piktorë të talentuar dhe se në këtë galeri i jepet prioritet brezit të ri të artistëve.

Ermal Mbrakulli ka lindur në Berat më 2 qershor 1987. Në vitin 2005 ai përfundoi Liceun Artistik “Ajet Xhindoli”, në degën pikturë, specialiteti grafikë, ndërsa në vitin 2009 kreu studimet e larta në Akademinë e Arteve në Tiranë, në degën Pikturë-Grafikë.

Ai ka qenë pjesë aktive e shumë konkurseve dhe ekspozitave të organizuara nga Galeria “Eduart Lear”. Në vitin 2008 u shpall fitues i çmimit të parë në konkursin “Hapësirë”, ndërsa ka marrë pjesë edhe në disa koloni artistike të zhvilluara në Berat, në qytete të tjera të vendit dhe në diasporë.

Ekspozita “Identitete në Tranzicion” është ekspozita e parë vetjake e piktorit në qytetin e tij të lindjes. Ajo sjell artistikisht përballjen e individit dhe shoqërisë me rrëzimin e një sistemi të mbyllur dhe hyrjen e vështirë drejt një realiteti demokratik ende të papërfunduar. Përmes veprave të saj ndërtohet një hartë kujtese dhe tensioni, që përcjell tek shikuesi gjurmët e tranzicionit të gjatë mbi identitetin kolektiv dhe atë personal.

Në përfundim të aktivitetit, drejtori i galerisë Arben Jaupaj theksoi se kjo është ekspozita e tretë e organizuar në galeri dhe se aktivitete të tjera artistike do të vijojnë gjatë vitit 2026.