Në Krekez dhe Koritzë të Kuçovës sot kanë mbetur vetëm pak të moshuar. Rrugët janë bosh, shtëpitë të mbyllura dhe jeta në fshat po shuhet dita-ditës.
“Na kanë mbetur veç ilaçet, 270 mijë lekë në muaj. Me pension s’ja dalim dot,” thotë Xhemili, një nga banorët e pakët.
Të rinjtë janë larguar në emigracion, dhe fshati është kthyer në një vend ku bujqësia s’ka më fuqi punëtore. “S’ka kush të mbledhë ullinjtë, fëmijët i kemi nëpër botë,” rrëfen Safeti.
Edhe jeta sociale është shuar krejt. “S’është bërë një dasmë në 10 vjet. Kush të vijë? Të gjithë kanë ikur,” thotë Fatimja.
Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente, përndryshe këto fshatra do të mbeten vetëm në kujtime.
