4 gusht-Policia e Beratit në kuadër të punës për mbrojtjen e mjedisit ka arrestuar këtë të martë dy persona, pasi janë kapur duke dëmtuar malin e Tomorit.

Në njoftimin e publikuar nga Drejtoria Vendore e Policisë Berat, mësohet se të ndaluarit, edhe pse i ishte hequr licenca, ata vijonin të ushtronin veprimtarinë e nxjerrjes së pllakave dekorative.

“Vijon kontrolli për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë së kundërligjshme që shkakton dëmtime në malin e Tomorit”,- njofton Policia e Beratit.

“Gjatë kontrollit është vënë në pranga edhe një punonjës i një subjekti tjetër të përpunimit të gurit, ndërsa administratori i këtij subjekti është shpallur në kërkim. Nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: D. L., 26, vjeç, banues në fshatin Novaj, Skrapar, administrator i një subjekti që i është revokuar licenca e ushtrimit te aktivitetit, me objekt veprimtarie “Grumbullim, përpunim dhe tregtim i gurëve dekorativë”; S. K., 40 vjeç, banues në Poliçan, punonjës i një subjekti; Si dhe u shpall në kërkim shtetasi S. Q., 61 vjeç, banues në Tiranë, administratori i subjektit”,- vijon njoftimi.

“Arrestimi i dy shtetasve dhe shpallja në kërkim e administratorit u bë pasi shërbimet e Komisariatit të Policisë Skrapar, në bashkëpunim me punonjës të Administratës së Zonave të Mbrojtura Berat, në aksin dytësor Novaj–Pronovik, në vendin e quajtur “Qafa e Sqepurit”, kanë konstatuar me  dy mjete, njëri pa  targa, të ngarkuar me pllaka guri dekorative, të nxjerra në Malin e Tomorit, zonë e shpallur “Park Kombëtar”, duke dëmtuar habitatin natyror të zonës së mbrojtur. Dyshohet se këta shtetas materialin e gurit të nxjerrë në mënyrë të paligjshme në këtë zonë e tregtonin duke pasur aktivitetin me status të pezulluar dhe me fatura fiktive”,- bëhet me dije në njoftim.

“Materialet iu referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat, për veprat penale “Dëmtimi i habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore”, ‘’Fshehja e të ardhurave’’ dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve””,- përfundon njoftimi i Policisë së Beratit. /a.g/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re