Në poliklinikën e specialiteteve në Berat prej muajsh nuk bëhen ekzaminime kardiake. Qytetarët denoncues u ankuan në “Fiks Fare” për biçikletën, por gazetarët në terren mësuan se nuk punonte as EKG-ja.

Prej vitesh pacientët që i drejtohen poliklinikës së specialiteteve në Berat për ekzaminime kardiake orintohen që t’i bëjnë ato në privat, pasi EKG-ja është prishur dhe për këtë arsye, sipas mjekes kardiologe, pacientët dëshirojnë që edhe biçikletën ta bëjnë në privat.

Fiks Fare solli bisedën mes një qytetari dhe infermieres asistente të mjekut kardiolog, e cila tregon se biçikleta nuk punon, dhe ekzaminimin nuk mund ta bëjë aty.

Menjëherë pas kësaj gazetarët e “Fiksit” shkuan tek infermierja e cila refuzoi të jepte një përgjigje për funksionimin e pajisjes me arsyetimin se kishte shumë pak kohë në këtë pozicion. Në këtë mënyrë gazetarët ju drejtuan mjekut kardiolog Pavllo Bojaxhiu, i cili e ka në zyrën e tij këtë pajisje, por edhe mjeku refuzoi të japë një përgjigje, duke u shmangur me arsyetimin se ai është në pension dhe aty vjen me orar të reduktuar. Pas këmbënguljes së gazetarëve të “Fiksit” ai pohon se pajisja nuk punon, por që para tre vitesh kur ai doli në pension ka funksionuar.

Ndërsa mjekja kardiologe Alma Berberi e cila punon me orar të plotë u shpjegon gazetarëve se në fakt nuk punon as EKG-ja, dhe se pacientët duhet të kalojnë njëherë këtë të fundit e pastaj të bëjnë provat ushtrimore, pra biçikletën. Sipas saj provat ushtrimore i bëjnë në privat ndërsa EKG-në e bëjnë tek spitali në shtet. Gazetarët këmbëngulin për të kuptuar përse nuk i bëjnë në poliklinikë , përderisa ajo nuk pranon se biçikleta nuk punon, por mjekja thotë se të gjithë qytetarët duan vetë të shkojnë në privat , dhe prej 6 muajsh që ajo është në këtë poliklinikë nuk ka patur asnjë rast që pacienti të mos dojë ta bëjë në privat provën ushtrimore. Pra mjekja nuk pranon që biçikleta nuk punon, por shprehet se janë pacientët ata që duan dhe kërkojnë me ngulm të shkojnë ta bëjnë në privat kur në shtet ky shërbim ofrohet falas./ tch

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re