Një 4-vjeçar nga Berati ka gjetur vdekjen në parkun e qytetit. Ai ka qenë duke luajtur në tunelin me drita, pjesë e dekorit të bashkisë për festat e fundvitit, kur ka rënë në kontakt me rrymën elektrike të disa telave të zhveshur të tunelit. Pasi ka rënë në tokë duke u dridhur kalimtarët kanë menduar se vuante nga ndonjë sëmundje dhe kanë njoftuar menjëherë ambulancën. 4-vjeçari ka mbërritur në spital me shenja jete të dobëta por mjekët, me gjithë përpjekjet e bëra, nuk kanë mundur dot ta shpëtojnë.

Pas dërgimit të kufomës së fëmijës në morgun e Spitalit Rajonal Berat, kanë mbërritur edhe familjarët e tij,  të tronditur nga gjithçka ndodhi kërkojnë të vihet përpara drejtësisë përgjegjësi i kësaj ngjarje tragjike.
Në prangat e policisë ka rënë Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike në bashkinë e Beratit, Polizoi Ikonomi dhe inxhinieri i kësaj drejtorie Llazar Hoxholli si përgjegjës i ndriçimit në zonat urbane. Ata akuzohen për “shpërdorim detyre”, bazuar në Nenin 248 të Kodit të Procedurës Penale. Nën hetim, në gjendje të lirë janë edhe 4 punonjës të tjerë të kësaj drejtorie, me pozicionin elektricistë, emrat e të cilëve nuk janë bërë ende të ditura.

Ndërkohë Bashkia Berat në një komunikatë për mediat ka thënë se është e hapur për bashkëpunim me institucionet përkatëse për zbardhjen e plotë të ngjarjes tepër të rëndë. Bashkia Berat garanton bashkëqytetasit se siguria e jetës së qytetarëve është detyra jonë parësore dhe nuk do të tolerohet asnjë neglizhim. Ngushëllimet më të sinqerta familjes, për humbjen tragjike të jetës së të dashurit të tyre!

Njoftimi i plote i Policise Berat:

Berat

Humbi jetën fëmija 4 vjeç nga kontakti me rrymën elektrike, duke luajtur në lulishten në pedonalen e qytetit të Beratit, ndalohen Drejtori i shërbimeve në Bashkinë e Beratit dhe përgjegjësi i ndriçimit në zonat urbane, si dhe procedohen në gjendje të lirë 4 elektricistët e bashkisë.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Berat, në përfundim të veprimeve të kryera në lidhje me ngjarjen e ndodhur në lulishten në pedonalen e qytetit Berat, në bashkëpunim me Prokurorinë bënë ndalimin e shtetasve:

P. I., 32 vjeç, me detyrë Drejtor i shërbimeve në Bashkinë e Beratit dhe Ll. H., 61 vjeç me detyrë përgjegjës i ndriçimit në zonat urbane, të dy banues në Berat.

Arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi, shtetasi i mitur me iniciale A. B., 4 vjeç, duke luajtur në lulishten në pedonalen e qytetit të Beratit, ka gjetur vdekjen si pasojë e kontaktit me rrymën elektrike.

Po në vijim të veprimeve u proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit F. T., H. I., E. B. dhe M. K., të katërt me detyrë elektricist pranë Bashkisë Berat.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprën penale “Shpërdorim detyre”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re