8 qershor – Ndërhyrjet në infrastrukturën elektroenergjetike, me synim rritjen e cilësisë së furnizimit me energji elektrike të zonave rurale dhe krijimin e kushteve sa më të mira për banorët, por edhe për turistët e huaj, kanë ndikuar pozitivisht gjithashtu në mbështetje të industrisë së turizmit.

Një ndërhyrje e tillë, me një investim të rëndësishëm është kryer nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në nënstacionin elektrik të Uznovës në Qarkun e Beratit, i cili garanton jo vetëm cilësi në furnizimin me energji, por redukton edhe humbjet në rrjet.

Nga ky investim përfitojnë rreth 500 abonentë përfshi edhe fshatit Roshnik, i cili është pjesë e projektit “100 fshatrat”, të hartuar nga qeveria shqiptare me synim nxitjen dhe zhvillimin e turizmit në këto zona.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku vizitoi nënstacionin elektrik të Uznovës ku u njoh nga afër me investimin e realizuar. Drejtori i OSHEE për rajonin Berat, Indrit Toska bëri të ditur se krahas ndërtimit të Fiderit të ri 20 kV është bërë e mundur edhe ndërtimi i rrjetit të tensionit të ulët.

“Sapo kemi mbaruar investimin e fiderit 20 kilovolt që shtrihet në Roshnik. Është një investim totalisht i OSHEE-së me vlerë 67 milionë lekë nga i cili preken 500 abonentë dhe shtrirja ka mbaruar edhe me kabullin ABC, që është kabulli i tensionit të ulët që rrit performancën e cilësisë së furnizimit me energji elektrike dhe redukton humbjet e energjisë”, – u shpreh drejtori i OSHEE për rajonin Berat.

Nga ana e saj, ministrja Belinda Balluku tha se edhe ky investim është në vazhdën e atyre të mëparshëm të kryer nga ana e OSHEE-së, me qëllim nxitjen e turizmit në zonat turistike apo në zonat e planifikuara për të qenë të tilla në të ardhmen.

“Ajo që ne vlerësojmë në investime të tilla është mënyra strategjike si ata janë zhvilluar. Ky investim ndikon në jetën e 500 abonentëve, thënë ndryshe, 500 familjeve në zonën e Roshnikut i cili është një nga fshatrat e paketës së ‘100 fshatrave’. Pra ky investim jo vetëm përmirëson cilësinë e jetesës së banorëve, por ndihmon dhe nxit paketën turistike të ‘100 fshatrave’. Kjo është diçka që ne e aplikojmë përgjatë investimeve tona në OSHEE, pikërisht për të nxitur strategjinë e turizmit në zonat turistike apo në zonat të cilat janë planizuar për të qenë të tilla në të ardhmen”, – u shpreh Balluku.

/e.caushi/

LIKE FAQES NE FACEBOOK PER LAJME TE NGJASHME