Në sallën e konferencave të Bashkisë së Beratit u organizua sot ceremonia zyrtare për dhënien e titullit “Qytetar nderi” mësuesit, përkthyesit dhe studiuesit beratas, z. Çlirim Mukli.

Si një nga intelektualët e njohur të qytetit tonë me një kontribut të shquar në fushën e letërsisë, botimeve dhe përkthimeve, si një qytetar aktiv që ka dhënë ndihmesën e tij në proceset demokratike, një mësues dhe edukator model i brezave të rinj dhe si një qytetar që gëzon respektin e kolegëve dhe qytetarëve beratas, Këshilli Bashkiak vendosi t’i japë z. Çlirim Mukli titullin “QYTETAR NDERI” i Beratit.

Morën pjesë në këtë ceremoni përfaqësues të institucioneve vendore, të forcave politike, të komuniteteve fetare, studiues, intelektualë, qytetarë etj. Pas një paraqitjeje të shkurtër të biografisë së z. Çlirim Mukli, si dhe prezantimit të tri librave të tij të fundit, si: “Berati – Thënie të arta”, “101 Autorë shqiptarë për Beratin dhe Tomorin”, “101 Legjenda dhe rrëfenja për Beratin dhe Tomorin”, moderuesi i kësaj ceremonie, z. Kadri Kuka, fton Kryetarin e Bashkisë, z. Petrit Sinaj, dhe Kryetaren e Këshillit Bashkiak, znj. Nikoleta Manka, t’i dorëzojnë z. Çlirim Mukli, titullin “QYTETAR NDERI” i Beratit.

Gjatë fjalës së tij përshëndetëse Kryetari i Bashkisë, z. Petrit Sinaj, u shpreh se kontributet e studiuesve tanë duhet të shërbejnë si pika referimi për vlerësimin e së tashmes dhe së ardhmes së qytetit.

Modele të tilla si z. Mukli, – tha ndër të tjera z. Sinaj, – janë burim frymëzimi për të gjithë ata që duan të mbeten në memorien historike dhe kulturore të këtij qyteti. “Nëse administrata vendore do të kishte bërë gjysmën e punës suaj, atëherë kushedi se si do të ishin rezultatet e punës së saj”, – u shpreh në fund të fjalës së tij Kryebashkiaku Sinaj, duke përcjellë ndërkohë një mesazh të qartë për të gjithë punonjësit e institucioneve vendore.

Gjatë ceremonisë shprehën konsideratat e tyre për figurën e Çlirim Muklit si mësues, përkthyes, studiues i apasionuar, disa nga intelektualët e pranishëm në këtë ceremoni, si: Aida Laska, Sazan Guri, Prof. Dr. Ramis Zekaj dhe botuesi Xhevair Lleshi. Emocione në sallë ngjalli fjala e vajzës së tij, që jeton në Romë, e cila ndjek rrugën e të atit në fushën e përkthimit.

Ndërsa z. Çlim Mukli në fjalën e vet, pasi falenderoi Bashkinë e Beratit për vlerësimin që i bëhet, shprehu mirënjohjen për të gjithë bashkëpunëtorët e tij ndër vite, që kanë bërë të mundur nxjerrjen në dritë të botimeve të tij.
Në fund të ceremonisë, për pjesëmarrësit u shtrua një koktej.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re