“5 Maji, Dita e Dëshmorëve të Atdheut”, e gjen edhe këtë vit qarkun e Beratit me lapidarë të shkatërruar,të lëvizur pa asnjë sens nga njëra anë e rrugës në tjetrën, të mbuluar me ferra dhe ç’është më e keqja, me lapidarë të shndërruar në WC publike.

Kjo është gjendja në të cilën ndodhen sot lapidarët në bashkinë e Urës-Vajgurore, pasi askush nga drejtuesit e pushtetit vendor nuk e ka më vëmendjen në mbrojtjen e vlerave të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare si dhe dëshmorëve të kësaj lufte që dhanë jetën për lirinë dhe demokracinë e atdheut të tyre.

Mungesa e investimeve ndër vite për mirëmbajtjen e këtyre monumenteve nga ana e pushtetit vendor dhe papërgjegjshmëria e institucioneve, që ligji i ngarkon me detyrën për t’u përgjigjur për ruajtjen e këtyre vlerave dhe simboleve historike, jo vetëm që denigron figurat e luftës por cenon edhe simbolet që përjetësojnë këto figura. Realiteti që shohim sot në këtë “5 Maj” është shokues. Përgjatë rrugës nacionale Berat-Lushnjë, në fshatin “Polizhan”, lapidari kushtuar dëshmorit të atdheut Josif Aleksi, i cili u vra gjatë një beteje në 5 Dhjetor 1943, jo vetëm që është zhvendosur pa asnjë sens nga njëra anë e rrugës në tjetrën, por është zhvendosur në ferra dhe për të shkuar tek ky lapidar duhet të kalosh kanalin e hapur në mes të rrugës, pa folur pastaj për pllakën përkujtimore të këtij lapidari që me zor mund të lexohet.

Pak kilometra më larg, në fshatin Gajdë, lapidari kushtuar 5 dëshmorëve të këtij fshati që u vranë në 12 Tetor 1943, është mbuluar nga ferrat e barishtet dhe zona përreth tij është shndërruar gjatë viteve në varrezat e fshatit. Ky lapidar, ku dikur banorët e zonës kryenin homazhe dhe nderonin të rënët në luftë, ka ngelur thjesht një gur i gjatë beton pa asnjë identitet, pasi janë fshirë edhe emrat e 5 dëshmorëve.

Në aksin tjetër nacional Berat-Fier,në vendin e quajtur “Qafa e Sqepurit” ndodhet edhe lapidari më i rëndësishëm i Urës-Vajgurore, lapidari kushtuar partizanëve të vrarë të Brigadës së VII Sulmuese. Ky lapidar është totalisht i shkatërruar, ka pësuar çarje të strukturës në shumë pjesë dhe rrethohet nga plehra e kafshë të ngordhura, ndërkohë që pjesa e pasme e tij është shndërruar në banjo publike nga kalimtarët e papërgjegjshëm.

Po në këtë aks, në fshatin Kutalli ndodhet një tjetër lapidar, që dëshmon rezistencën heroike të një partizani që ra dëshmor, por edhe në këtë lapidar është fshirë gjithçka që ishte shkruar dikur për luftën e përgjakur antifashiste nacional çlirimtare në këtë zonë. Këta lapidarë, që duhet të dëshmonin memorien historike të Urës-Vajgurore, sot janë monumente që dëshmojnë vetëm shkatërrimin e historisë së popullit tonë, pasi prej vitesh nuk janë mirëmbajtur dhe nuk është investuar asnjëherë në restaurimin e tyre.

Bashkia e Urës-Vajgurore është mjaftuar edhe këtë 5 Maj me bojatisjen me gëlqere vetëm të pjesëve ballore e të dukshme të tyre 2 ditë më parë, ndërkohë që për shkatërrimin dhe degradimin e tyre si dhe mungesën e investimeve ndër vite nuk jep asnjë lloj informacioni.

Banorët e zonës së Kutallisë, pohojnë se,vetëm 2 ditë më parë,punonjësit e bashkisë, lyen me gëlqere disa lapidarë të dukshëm në anë të rrugës dhe kjo ndodh gati çdo vit,pasi sapo kalon 5 Maji,dita e dëshmorëve,askush nuk kujtohet më për lapidarët,deri në 5 Majin e ardhshëm. Duke treguar historinë e luftës së përgjakur dhe heroike që është bërë nga forcat partizane të kësaj zone,ata shprehin keqardhje për verbërinë e bashkisë ndaj këtyre vlerave historike,që në këtë mënyrë po shuhen.

Burimi: Top Channel

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re