Një incident i pakëndshëm është shënuar ditën e Kurban Bajramit në lagjen “Kala” të qytetit të Beratit. Gazmend Bilali pasi u kthye nga falja e Bajramit së bashku me vëllanë konstatoi se në derën kryesore të shtëpisë i kishin bërë një kryq me spraj me bojë të zezë.

I indinjuar, Gazmendi tha se kryqi është bërë gjatë natës dhe veprimin e cilësoi përçarës. Ai tha më tej se fqinjë ka shumë besimtarë ortodoksë, por theksoi se marrëdhëniet i kanë shumë të mira.

“Jam banor i lagjes “Kala” prej 50 vitesh. Ditën e Bajramit në shtëpinë tonë ka ndodhur një veprim i shëmtuar. Në portën tonë na kanë vendosur një kryq, një veprim i ulët. Nuk e di kush është arsyeja, por jam çuditur shumë kur kam dalë në mëngjes nga shtëpia.

Këto janë veprime përçarëse. Jam ndier i ofenduar. Unë jam mysliman, në lagje ka edhe të tjere, ka edhe ortodoksë, jemi të përzier. Ne kemi shkuar mirë, jemi rritur me familjet ortodokse. Jam i indinjuar. Unë jam në një familje që jemi myslimanë praktikantë. Veprime të ulëta, fëmijërore.

Në mëngjes kur shkova në xhami që bëmë faljen, kur erdhëm e konstatoi vëllai. Nuk bëra denoncim” tha ai. Urojmë që ngjarje të tillë të mos ndikojnë në cenimin e harmonisë fetare në vend.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re