17 janar Projekti për restaurimin e mureve të Kalasë në Berat tashmë ka mbërritur në gjysmën e perimetrit të kullave dhe kurtinave mes tyre.

Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore berat, Eugen Kallfani thekson se “fragmenti midis kullave 10 – 13 është nga më të rëndësishmit dhe përpjekja për të ndërhyrë në zbatimin e punimeve në këtë perimeter do jetë një nga sfidat për 2020 – 2021”.

“Projektet tashmë janë miratuar nga Këshilli Kombëtar i Restaurimit dhe një punë shumë e mirë në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore dhe Ministrinë e Kulturës është kryer tashmë me shpresën dhe dëshirën që shumë shpejt ti shkojmë deri në fund ndërhyrjes në muret e Kalasë”, – tha Kallfani.

Kalaja e Beratit është një nga monumentet më të mëdha historike të Ballkanit, një fortesë e madhe që sundon mbi lumin Osum. Kalaja është ngritur sipas një plani në formë trekëndëshi. Kjo kala, po të shihet nga poshtë, duket si pjesë e kodrës. Kulla e hyrjes së brendshme është e bërë nga blloqe guri, që u përkasin fortifikimeve ilire, të cilat janë ndërtuar në shekujt IV-II p.e.r.

Maja e kodrës është e rrethuar me një mur të jashtëm periferik me 24 kulla. Në brendësi të kësaj kalaje ndodhen rreth 14 kisha, të cilat e kanë bërë mjaft të dëgjuar atë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re