8 maj – Rehabilitimi i rrugëve kryesore dhe dytësore të njësive administrative dhe lagjeve të qytetit të Beratit po vijon me ritme të larta.Punonjësit e Drejtorisë së Shërbimeve Publike në funksion të realizimit të projekteve infrastrukturore në rehabilitimin, sistemimin dhe shtrimin e këtyre rrugëve prej një muaji janë duke kryer punime në zona të ndryshme të territorit të Bashkisë, sipas preventivit të hartuar.

Kryetari i Bashkisë, Petrit Sinaj, inspektoi punimet që po kryhen në rrugën “Konstandin Kristoforidhi” të lagjes “Kushtrim”. Sipas projektit, në këtë lagje janë duke u shtruar me kalldrëm rreth 850 m2 rrugë, ndërsa 200 m2 janë shtruar me beton.

Kryetari i Bashkisë u shpreh se mjetet dhe punonjësit e kësaj drejtorie janë duke punuar intensivisht për realizimin e projekteve infrastrukturore, duke sistemuar, shtruar me çakull, beton dhe kalldrëm, sipas karakteristikave të lagjeve, segmente të ndryshme rrugore.

“Angazhimi ynë është shprehje e punëve konkrete që ne bëjmë për të përmirësuar cilësinë e jetës së banorëve tanë”, – tha Sinaj. Bashkia e Beratit ka përgatitur një program pune të detajuar për rehabilitimin e infrastrukturës rrugore për çdo njësi administrative dhe lagje të qytetit./atsh

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re