17 maj-Në mjediset e bibliotekës “Vexhi Buharaja” po vijon zbatimi i projektit “Të lexojmë një përrallë”, ku për çdo javë një person publik u lexon fëmijëve nga një përrallë.

Në një atmosferë entuziaste dhe ndërvepruese, java e gjashtë e projektit “Të lexojmë një përrallë” priti sot në ambientet e bibliotekës “Vexhi Buharaja” nxënësit e dy klasave të pesta të shkollës 9 – vjeçare “22 Tetori”, të cilët shoqëroheshin në këtë aktivitet nga mësueset e tyre, Kristina Moja dhe Aida Tabaku.

Për të komunikuar më fëmijët drejtuesit e projektit kishin ftuar avokaten, Brikena Cufe, e cila fillimisht iu lexoi fëmijëve disa vjersha humoristike nga libri “Kur zogu prapë të hyjë në vezë”.

Më pas takimi u zhvillua në formë bashkëbisedimi, ku avokatja bashkë me nxënësit, duke lexuar fragmente nga libri enciklopedik për fëmijë “Vështro botën përreth – Kafshët”, zbuluan disa nga veçoritë e botës së kafshëve. Në fund të aktivitetit, nxënësit vizituan mjediset e bibliotekës.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re