Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mesditën e sotme në lagjen Kala të Beratit, ku një konflikt i çastit mes dy personave ka përfunduar me vrasjen e një 42-vjeçari. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:10, kur një 63-vjeçar ka goditur disa herë me thikë një 42-vjeçar, i cili ka humbur jetën gjatë transportit për në spital.
Sipas të dhënave paraprake, viktima dhe autori ishin përfshirë në një debat verbal, që më pas ka degraduar në dhunë fizike. Konflikti dyshohet se ka nisur për shkak të një kali që përdorej për shëtitje turistike në kalatë e qytetit.
Autori i dyshuar, Kristo Mema, goditi me thikë disa herë viktimën, Keli Hoxha, banues në Tiranë. Pavarësisht përpjekjeve për ta dërguar në spital, 42-vjeçari ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra.
Pas ngjarjes, autori është larguar nga vendi i krimit dhe është shpallur në kërkim nga policia, e cila ka nisur kontrollet në të gjithë zonën për kapjen e tij. Në vendngjarje ndodhen forcat e policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë.
Berat/Informacion paraprak
Rreth orës 15:10, në lagjen e Kalasë, shtetasi Keli. Hoxha 42 dhe Kristo. Mema 63., banues në lagjen “Barrikadë”, Berat, dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta ka goditur me mjet prerës shtetasin Keli. HoxhaK 42 vjeç, banues në Tiranë, i cili ka humbur jetën.
Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të autorit dhe po kontrollojnë zonën për kapjen e tij.
Grupi hetimor vijon punën për përcaktimin e rrethanave dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes”, njofton policia.
