27 shkurt – Në ambientet e bashkisë së Beratit u nënshkrua sot marrëveshja e grantit prej 75 mijë euro dhuruar nga qeveria japoneze për blerjen e një mjeti zjarrfikës për bashkinë e Beratit.
Marrëveshja u firmos nga kryetari i bashkisë, Petrit Sinaj dhe ambasadori i Japonisë në Shqipëri, Makoto Ito.
Pas aplikimit të bashkisë së Beratit në bashkëpunim me Ambasadën japoneze, u arrit të finalizohej me sukses përfitimi i donacionit nga programi i ndihmës i qeverisë japoneze, i cili do të bëjë të mundur mbështetjen për sektorin e mbrojtjes nga zjarri dhe Emergjencat Civile në qytetin e Beratit.
“Bashkia e Beratit do të bashkëfinancojë shumën 20% të projektit, duke mbuluar kostot e TVSH-së për mjetin”, – bën të ditur bashkia e Beratit.
Të pranishëm në ceremoni ishin gjithashtu Hiroko Morikawa, atashe për çështjet ekonomike të ambasadës japoneze dhe Endo Ryoko, përfaqësuese e Ambasadës japoneze për projektin si dhe nënkryetarët e bashkisë, Çlirim Brisku dhe Bledar Blana, sekretari i Përgjithshëm, Gëzim Zema dhe përfaqësues të bashkisë Berat.