22 gusht- Një tjetër çati monument kulture kategori e dytë po restaurohet në lagjen Kala, të qytetit të Beratit.

Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Berat bën të ditur se punimet po kryhen në banesën e familjes Cimbidhi, monument kulture kategori e dytë, e cila nga pamundësia ekonomike e pronarëve për të ndërhyrë rrezikonte shembjen.

“Me këtë rast mbështetja e ministrisë së Kulturës dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës ka qenë e madhe, pasi mundësoi miratimin e kërkesës së DRKK-së për ta përfshirë në paketën mirëmbajtje”, shprehet DRKK, Berat.

Sipas saj, së shpejti në bashkëpunim me CHWB do të ndërhyhet edhe në monumente të tjera.

Qyteti i Beratit është një nga më të vjetrit në Shqipëri, me gjurmët e para të cilat datojnë që 2600-1800 para Krishtit. Ka edhe qeramika që nga shekulli i 7 apo 6. Banorët e Beratit janë quajtur në fillim ilirë, më pas arbër dhe në fund shqiptarë.

Zona e Kalasë ka fortifikime guri që nga gjysma e parë e shekullit të 4-t. Në kohët e lashta ai ishte i njohur si Antipatrea Berat, një qytet i fortifikuar që ka arritur t’u rezistojë legjioneve romake të së kaluarës.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re